Aktuale

Java nis me mot të vranët, do të ketë edhe reshje shiu

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me periudha me diell.

“Sipas situatës sinoptike që po mbretëron mbi gadishullin Ballkanik, reshje shiu pritet  të fillojnë nesër dhe do të vazhdojnë edhe ditën e martë. Të mërkurën pritet të ketë më shumë orë me diell dhe do të vazhdoj një situatë e ngjashme deri të premten, duke mos i përjashtuar  reshjet e izoluara të cilat mund të jenë prezent nëpër disa lokalitete, por me intensitet të dobët”, thuhet në komunikatën për media e IHMK-së.

Sipas IHMK-së vlerat minimale të temperaturave do të lëvizin ndërmjet 11- 17 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-27 gradë Celsius.

Në viset malore përpos reshjeve që do të jenë më prezent , temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet  9-11 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-20 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi deri 13m.