Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, shënojnë Javën e Gjidhënies në Kosovë, nga 1 deri më 7 tetor.
Në njoftim për media thuhet se anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) ka zbuluar se vetëm 40 për qind e fëmijëve nën moshën 6 muajsh ushqehen vetëm me qumësht gjiri përderisa, vetëm 16 për qind e fëmijëve nën moshën 6 muajsh nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë ushqehen vetëm me qumësht gjiri.
“Gjatë kësaj jave aktivitete të ndryshme do të organizohen me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, punëtorë shëndetësor e prindër, ku do të potencohet rëndësia e të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri në 6 muajt e parë të jetës së foshnjës. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i rekomandojnë që nënat të fillojnë me gjidhënie menjëherë brenda orës së parë të lindjes së foshnjës dhe ta ushqejnë foshnjën vetëm me qumësht gjiri gjatë 6 muajve të parë. Organizatat gjithashtu rekomandojnë që gratë t’i ushqejnë fëmijët e tyre për së paku dy vjet me qumësht gjiri dhe të përziejnë qumështin e gjirit me ushqime të tjera të sigurta dhe të shëndetshme duke filluar prej kur foshnja i ka 6 muaj”, thuhet në njoftim./KP