Aktuale

Jasharët hapën dyert, por Mustafa, Veseli dhe Thaçi nuk shkuan t’i vizitojnë

Dita e dytë e Epopesë së UÇK-së ka vazhduar edhe sot me homazhet tek varrezat e të rënëve në Prekaz të Drenicës.

Qytetarë të shumtë, figura të larta politike, krerë të institucioneve qendrore dhe atyre lokale kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule mbi varret e të rënëve të familjes Jashari.

Në këtë ditë familja e komandantit legjendar Adem Jashari ka hapur dyert e kullës për vizita.

Ata u vizituan nga deputetët e PDK-së dhe zyrtarë të komunës së Skenderajt, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe personalitete tjera.

Të vetmit që shmangën kullën e  Jasharëve janë kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Sot të dy këta bënë homazhe tek varrezat por nuk shkuan në kullën e Jasharëve.

 

Njëjtë ka vepruar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi i cili nderimet te Jasharët i ka bërë dje por pa u njoftuar mediat. Atij i ka mjaftuar një njoftim në rrjetin social Facebook. As sivjet  Thaçi nuk ka vizituar kullën e Jasharëve.

 

Ndërkohë  që ka pritur mysafirë në kullë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari nuk ka dashur të flasë për media./KosovaPress/