Vendosën për të mbajtur grevë në 1 mijë e 100 institucione arsimore. Por, kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk i janë përgjigjur 5 shkolla. Dy shkolla fillore në Prishtinë, një në Obiliq dhe dy në Malishevë, nuk po mbajnë grevën dy orëshe, ato zhvilluan procesin mësimor.
Greva dyorëshe në arsim është paralajmëruar të mbahet në çerdhe, në universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës, me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.
Greva ishte vetëm për ditën e sotme. Kurse të hënën dhe ditët në vazhdim do të ketë mbahet mësim i rregullt mësimor.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Ai tha se për hapa të mëtejmë do të vendoset pas mbledhjes që do të mbajë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut.
“Nuk mund të them asgjë për momentin javën e ardhshme do të do të takohemi me të gjithë të punësuarit në arsim nga çerdhet e deri në universitet, pastaj Këshilli Drejtues do të bëjë mbledhje të jashtëzakonshme dhe cilindo veprim që e sjell Këshilli Drejtues pastaj do të dalim me vendim. Të hënën dhe ditëve tjera do të ketë mësim deri sa të vjen një vendim tjetër nga Këshilli Dretjues, pra mësimi do të jetë i rregullt”, tha Jasharaj.
Por, kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për grevë nuk i janë përgjigjur 5 shkolla. Kryesindikalisti Jasharaj ka treguar se cilat shkolla nuk iu përgjigjen grevës.
“Deri më tani kemi shënuar pesë raste nga 1 mijë e 100 institucione arsimore. Vetëm pesë raste kemi që nuk i janë përgjigjur plotësisht apo pjesërisht. Kemi dy raste në Malishevë, shkolla ‘Migjeni´dhe ‘Petro Nini Luarasi’ nuk kanë respektuar vendimin e Këshillit Drejtues, në Obiliq kemi shkollën ‘Fazli Grajcevci’ dhe në Prishtinë nuk i janë përgjigjur grevës shkolla ‘Faik Konica’ dhe “Hasan Prishtina”’, tregon Jasharaj.
Për mospërfilljen e vendimit, Jasharaj thotë se do të shkojnë nëpër këto shkolla dhe të mësojnë arsyeje që ndikoi për mos të hyr në grevë.
“Do të shkojmë nëpër shkolla dhe të bisedojmë dhe do shohim se cila është arsyeja se çka ka ndikuar tek ta që mos të jenë bashkë me 1 mijë e 100 institucione në grevë”, tha ai.
Greva në sektorin e arsimit, por edhe në sektorin e shëndetësisë erdhi pasi Institucioni i Avokatit të Popullit, dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat për punëtorët e sektorit publik. Për këtë Ligj, Kushtetuesja gjatë ditës së djeshme mori vendim për pezullim të përkohshëm deri në marsin e vitit të ardhshëm (2020)./FaktePlus