Kryetari i Këshillit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike të Serbisë Dushan Janjiq ka deklaruar se me miratimin e Platformës dhe me formimin e ekipit politik, Prishtina është një hap para Beogradit dhe se pushteti serb duhet të pyetet përse ata nuk e kanë miratuar një dokument të tillë.
“Prishtina tani ka fituar një avantazh të dukshëm ndaj Beogradit nga pikëpamja e Brukselit dhe Uashingtonit. Miratimi i Platformës ishte një nga punët me për cilën Prishtina ishte obliguar në Bruksel. Ajo tani e ka platformën e saj politike e cila është miratuar në parlament, të cilës i ka paraprirë procedura e konsultimeve në të cilën vetëm dy parti opozitare nuk e kanë dhënë përkrahjen e tyre. Për fat të keq, Beogradi këtë nuk e ka”, ka thënë Janjiq për agjencinë serbe Beta.
Ai ka thënë se tani Beogradi duhet ta pyes veten përse Serbia nuk ka një platformë të tillë politike.
“Tani Marko Gjuriq duhet ta pyes veten përse nuk e ka një platformë politike dhe një ekip politik në të cilin do të ishin edhe përfaqësues të opozitës”, pretendon Janjiq.
Sipas fjalëve të tij, Platforma i ka anët e saja të këqija dhe të mira.
“Anët e mira janë se ajo e definon kornizën për negociata dhe procedurat për raportim gjë që deri tani nuk ishte rasti, sepse dialogu në Bruksel është zhvilluar larg syve të opinionit deri tani”, ka thënë ai.
Si dobësi serioze të Platformës, Janjiq e sheh në vënien e “caqeve maksimaliste të Prishtinës”.
“Platforma parasheh njohje të plotë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe njohje të ndërsjellët, status quo territoriale, këto janë kërkesa maksimaliste të cilat mund ta pengojnë dialogun”, ka thënë ai.
Janjiq ka theksuar se kjo është rrezik edhe për Prishtinën dhe se ajo duhet të brengoset për këtë dobësi, e cila mund ta bllokojë delegacionin kosovar në negociatat e mëtejme.
Sipas fjalëve të tij, dobësia përmbajtjesore e Platformës është që po tentohet të shmanget “paketa e sigurisë”, gjegjësisht çështja e anëtarësimit në NATO.
“Kosova po shkon kah NATO dhe kjo çështje duhet të jetë pjesë e marrëveshjes, nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunim me Serbinë. Kjo është dobësi e madhe e Platformës dhe me këtë edhe një shans i madh për Serbinë”, ka thënë Janjiq., dhe ka shtuar se marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet me qëllimet maskimaliste, por ajo duhet të jetë zgjidhje e qëndrueshme e cila bazohet në kompromis.
Ai ka thënë edhe atë se mund të konsiderohet se Beogradi me deklaratat e ministrave Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vullin për kufizim ka bërë “lëvizje taktike” dhe i ka paraqitur qëllimet e saja maksimaliste.
“Ajo Platformë nuk duhet nënçmuar dhe injoruar. Ajo tani duhet të studiohet mirë dhe të gjendet përgjigje në ato kërkesa”, ka thënë Janjiq.





















