Aktuale

Jahjaga flet pas ndalimit në Serbi: Zyrtarët e Serbisë po vazhdojnë politikën e viteve të 90-ta

Ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës, iu është ndaluar hyrja në Serbi, ku kishte planifikuar të merrte pjesë në promovimin e një libri dhe të mbajë fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për këtë ndalesë që iu bë Jahjagës, ka reaguar edhe Natasha Kandiq, e cila ka thënë “qeveria serbe preferon shqiptarët në varreza masive, nën këmbët e gjeneral Dinkoviqit”.

Pas këtij rasti, ish-presidentja Jahjaga ka thënë se përgatitjet për vizitën e saj janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë, transmeton Gazeta Express.

“Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshje, duke shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, ka thënë Jahjaga.

Megjithatë, Jahjaga ka thënë për zyrtarët e Serbisë së nuk ka iluzione që ata do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, duke shtuar se ata po vazhdojnë politikën e viteve 90’a kur kanë qenë edhe protagonistë.

Postimi i plotë i Atifete Jahjagës:

Unë sot do të duhej të isha në Beograd për promovim të librit “Unë dua të dëgjohem” në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ku u ftova të mbaj fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Hyrja ime në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd.

Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë.

Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me marrëveshje, por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time.

Zyra ime dhe organizatorët e festivalit janë në komunikim të vazhdueshëm për të siguruar pjesëmarrjen time në këtë festival, me bindjen se pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara.

Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-a kur kanë qenë edhe protagonistë.

Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udheheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufinj.