Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një konferencë për medie, me ç’rast ka vlerësuar se dita kur u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovë (22 tetor) ka shkuar pa ndonjë incident të dukshëm, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ai me këtë rast tha se zgjedhjet e këtij viti janë organizuar shumë më mirë se ato të vitit 2013. Megjithëkëtë Peterle ka konsideruar se gjatë fushatës ka pasur disa parregullsi, siç janë kërcënimet e bëra gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe. Në mesin e parregullsive më tutje ai përmendi edhe mospastrimin e listave, (figurimin e personave të vdekur në to), ku kërkoi që të veprohet në eliminimin e kësaj dukurie.
Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE-ja, Alojz Peterle, gjatë një konference, ku shpalosi të gjeturat për ditën e zgjedhjeve, vlerësoi se ambienti gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ishte i qetë. Po ashtu, sipas tij, edhe dita kur qytetarët e Kosovës votuan ishte pa incidente të theksuara, shkruan Zeri/.
“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, pa incidente të mëdha të shënuara nga vëzhguesit e Misionit, të cilët vizituan 446 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Votimi në përgjithësi u vlerësua pozitivisht”, theksoi ai.
Megjithatë, Peterle bëri të ditur se gjatë fushatës janë hasur disa parregullsi, siç janë kërcënimet mes komuniteteve me shumicë serbe.
“Misioni ynë vlerëson se kishte kërcënime gjatë fushatës mes komuniteteve me shumicë serbe dhe mes kandidatëve jashtë Listës Serbe. Dëshiroj të them se ne nuk jemi këtu për të imponuar diçka, jemi këtu që të vëzhgojmë me standardet me të cilat Kosova i respekton”, shtoi ai.
Ndërkaq bëri të ditur se vëzhguesit e këtij misioni kanë vërejtur edhe disa raste të votimit familjar.
“Vëzhguesit vërejtën shumë raste të votimit familjar, disa votues që u është refuzuar votimi në të shumtën e rasteve për shkak se nuk ishin në listën e votuesve dhe raste të votimit me asistencë”, tha ai.
Më tutje në vargun e parregullsive Peterle përmendi mospastrimin e listave, gjegjësisht prezencën e njerëzve të vdekur në to.
Por, pavarësisht kësaj, ai konsideroi se zgjedhjet lokale këtë vit ishin shumë më transparente se ato paraprake.
“Zgjedhjet ishin më transparente se zgjedhjet e vitit 2013, dita ishte e qetë”, nënvizoi ai.
E meqenëse edhe në këto zgjedhje u vërejt prezenca e personave të vdekur nëpër lista, Peterle propozoi që certifikatat e vdekjes të bëhen në mënyrë automatike.
“Është shumë e rëndësishme që certifikatat e vdekjes të bëhen në mënyrë automatike dhe të mos lëshohen në bazë të kërkesës së familjarëve. Dëshiroj të them se ajo çka duhet të bëhet nuk është për t’ia bërë qejfin Brukselit, por e përmirëson cilësinë e demokracisë në Kosovë dhe gjithçka shkon në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh më tutje ai.
Ndryshe, zgjedhjet lokale 2017 janë zgjedhjet e dyta lokale që janë mbajtur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës që nga Marrëveshja e 19 prillit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë./ZERI/.