Aktuale

Ja të gjeturat e Avokatit të Popullit për të akuzuarit e Gjilanit

Avokati i Popullit ka gjetur shkelje me rastin e ngritjes së aktakuzës kundër ish-kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemail Mustafa, njëzet e tetë zyrtarëve tjerë të kësaj komune dhe dhjetë përfaqësuesve të operatorëve ekonomik.

Pas pranimit të ankesës nga tre persona me inicialet F.H, D.K, H.A, Avokati i Popullit ka hapur rastin, ku ka konstatuar se ka shkelje të drejtës themelore të personave të pandehur në procedurë penale, për t’u informuar mbi akuzat menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, dhe para se ky fakt të bëhet publik në media. Rrjedhimisht, veprimi i Prokurorisë Speciale ka cenuar parimin e barazisë së palëve në procedurë dhe, po ashtu, dhënia e njoftimit për media për ngritje të aktakuzës pa njoftimin paraprak të personave të akuzuar, është në kundërshtim me detyrimin e prokurorisë për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe paraqet edhe cenim të parimit të njohur për prezumim të pafajësisë.

“Bazuar në deklarimet e palëve që kanë parashtruar ankesat dhe në analizën ligjore, Avokati i Popullit ka konstatuar se nuk ka zbrastësi ligjore nga këndvështrimi i rregullimit të të drejtave të personit të pandehur në procedurë penale ( në fazën e hetimit dhe ngritjes së aktakuzës), por problemi qëndron në moszbatimin e detyrimeve ligjore nga organet e drejtësisë, si në rastin e ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale dhe publikimi në media pa njoftim paraprak të personave të përfshirë në aktakuzë. Në rastin konkret, Avokati i Popullit ka konstatuar se ka shkelje të drejtës themelore të personave të pandehur në procedurë penale, për t’u informuar mbi akuzat menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, dhe para se ky fakt të bëhet publik në media. Rrjedhimisht, veprimi i Prokurorisë Speciale ka cenuar parimin e barazisë së palëve në procedurë dhe, po ashtu, dhënia e njoftimit për media për ngritje të aktakuzës pa njoftimin paraprak të personave të akuzuar, është në kundërshtim me detyrimin e prokurorisë për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe paraqet edhe cenim të parimit të njohur për prezumim të pafajësisë”, thuhet në raport.

Avokati i Popullit i ka rekomanduar Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorit të Shtetit që të respektojnë të drejtën e personave të pandehur për t’u informuar në kohë për aktakuzën kundër tyre dhe t’u mundësohet në mënyrë efikase shfrytëzimi i të drejtës ligjore për kundërshtimin e akuzave, si dhe të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe mbrojtja e dinjitetit të personave pandehur në pajtim me KPP, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare, në veçanti KEDNJ.

“Në respektim të këtyre parimeve të bëhet edhe njoftimi i publikut për fazën e hetimeve, por personat e akuzuar të njoftohen gjithmonë para dhënies së njoftimit në media. Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Avokati i Popullit i drejtohet me rekomandimin që të udhëzoj të gjitha Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, në mënyrë që gjyqtarët në procedurë paraprake të kenë kujdes të shtuar për respektim rigoroz të të drejtave të personit të pandehur në fazën e hetimit dhe ngritjes së aktakuzës. Ndërkaq, Institutit Gjyqësor të Kosovës i rekomandohet që të ofrojnë trajnime shtesë të fokusuara mbi të drejtat e personit të pandehur në fazën e hetimit dhe ngritjes së aktakuzës, në pajtim me standardet me të larta për të drejtat e njeriut”, thuhet në raport./KosovaPress/