Zgjedhjet e qershorit të vitit 2014 nxorën fitues PDK-në si parti më e madhja në vend. Por për gjashtë muaj asnjë parti as që deshi të diskutojë për ndonjë koalicion të mundshëm me këtë parti.
Të bashkuar si opozitë e cila më vonë u quajt VLAN u munduan të formojnë Qeverinë e re me kryetar të Kuvendit Isa Mustafa dhe kryeministër Ramush Haradinaj.
Por këtë unitet e rrëzoi Gjykata Kushtetuese e cila nuk i dha të drejtën partisë së dytë për ta formuar Qeverinë.
Pasi që vendosi Gjykata Kushtetuese LDK u kthye nga PDK-ja duke ia kthyer shpinën partnerëve nga opozita.
Këtë askush nuk e kishte besuar përveç ish-deputetit të PDK-së Rrustem Mustafa, i cili për gjashtë muaj deklaroi se vendit i duhet koalicioni PDK-LDK.
Dhe kjo ndodhi, ku Isa Mustafa u votua me votat e deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe.
Me marrjen e postit të shefit të ekzekutivit, Mustafa u përball me protesta, fillimisht të nënave gjakovare që kërkuan shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq dhe me ato për Trepçën.
Mustafa më vonë u përball edhe me protesta dhe hedhje me vezë nga opozita dhe kundërshtime për Asociacionin dhe Demarkacionin.
Për disa muaj seancat u mbajtën nën erën e gazit lotsjellës dhe koktej Molotovit që përdornin partitë në opozitë.
Për krejt këto Mustafa kishte edhe përkrahjen e partnerit në koalicion deri më 26 shkurt kur u zgjodh president, ish-kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i Mustafës Hashim Thaçi.
Presidenti u zgjodh në masa policore dhe me gaz lotsjellës. Por ishin deputetët e LDK-së ata që ia mundësuan Tahcit që ta marr postin e presidentit për një mandat pesë vjeqar.
Thaçi u rehatua në kolltukun e tij në Presidencë, ndërsa Mustafa sfidohej cdo ditë me pakënaqësi si nga opozita e po ashtu edhe me protesta të qytetarëve.
Sfidë më e madhe për Mustafën ishte edhe Demarkacioni me Malin e Zi, të cilin përveç opozitës u kundërshtua vazhdimisht edhe nga deputetë të LDK-së.
Ky proces ia vështirësoi punën Mustafës për çdo ditë duke nxitur kritika edhe nga partneri në koalicion Kadri Veseli.
Ai në shumë tubime ka thënë se kryeministrit të Mustafës i mungon guximi për të marrë vendime të mëdha për vendin.
Këta zëra kritik nga PDK u shtuan çdo ditë duke kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Por Kadri Veseli nuk ndërmori asnjë hap për t’i thënë Mustafës për ndarje por ia la në dorë opozitës. Kjo e fundit inicoi një mocion mosbesimi i, i cili pas marrjes së nënshkrimeve të nevojshme u protokollua në Kuvend.
Seanca për mocionin e mosbesimit u caktua për sot ndërkaq kryeministri u aktivizua duke bërë përpjekje që të shtyjë jetën udhëheqjes së tij.
Ai kërkoi ndihmë edhe nga ambasadori amerikan Greg Delawie që t’i bindë deputetët e tij që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi.
E mërkura e 10 majit PDK u mbledh për të marr qëndrim nëse do ta votojnë mocionin e mosbesimit.
Ndonëse jo publikisht, u vendos që të ndahen me LDK-në. Madje në seancë deputetët e këtyre d partive shkëmbyen akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. Aty u përmend edhe e kaluara e individiëve e sidomos e krerëve të PDK-së.
Duke parë këtë ndarja e tyre shihej se do të ndodhë. Dhe kjo ndodhi pikërisht në orën 14 e 26. Qeveria ra. Për rrëzimin e Qeverisë votuan 78 deputetë, 34 kundër ndërsa tre deputetë abstenuan.
Në bazë të kësaj koalicioni që shumëkush e ka quajtur “martesë e panatyrshme” i erdhi fundi.
Në bazë të rregullores së Kuvendit i mbetet presidentit të Kosovës që ta shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme./KosovaPress/