Dy personat e përfshirë në vrasje, në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, kanë pasur zënka më herët.
Kështu thonë burime të “Gazeta Blic” të afërt me viktimën.
Sipas këtyre burimeve personi që e ka kryer vrasjen është nxënës i gjimnazit “Frang Bardhi”, kurse i vrari është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Mitrovicë.
Po ashtu burimet e njëjta kanë bërë me dije për “Gazeta Blic” se dorasi ka pasur dosje në Policinë e Kosovës dhe ka qenë në arrest shtëpiak.
Ndryshe lajmin për vrasje e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Sipas Zahitit, vrasja ka ndodhur jashtë hapësirave të shkollës më saktësisht në rrugën e UÇK-së.
“Mund të ju konfirmoj se ngjarja ka ndodhur në rrugën e UÇK-së, pra jashtë hapësirave të shkollave pra nuk bëhet fjalë për një incident që ka ndodhur në shkollë, policia dhe prokurori kanë dalur në vendin e ngjarjes. Tash për tash nuk kemi detaje të tjera por si pasojë e përdorimit të armës apo shkrepjes së armës një person ka mbetur pa shenja jete. Identitetin e viktimës nuk e dimë tash”, tha Zahiti për “Gazeta Blic”/GazetaBlic.com/