Aktuale

Ja sa vota i duhen Vetëvendosjes për shkarkimin e Aida Dërgutit

Lëvizja Vetëvendosje sot do të kërkojë shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila tash më nuk është pjesë e Vetëvendosjes, e sipas rregullores së Kuvendit asaj nuk i takon kjo pozitë.
Por, shkarkimi i saj mund edhe të dështojë, pasi për një gjë të tillë kërkohen 80 vota.

Paritë e koalicionin qeverisës deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim nëse do të votojnë për shkarkimin e Dërgutit. Memli Krasnqi nga grupi parlamentar i PDK-së, ditë më parë ka thënë se për këtë parti kjo çështje nuk është prioritet.

Deri më tani Kuvendi i Kosovës nuk është përballur më një situatë të tillë, për shkarkimin e nënkryetarit, ndërsa që edhe për zgjedhjen e tyre ka pasur një konsensus mes partive politike në Kuvend, shkruan lajmi.net.

Në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës, posti i nënkryetarit të Kuvendit u takon tri grupeve më të mëdha parlamentare nga partitë shqiptare.

Aida Dërguti ishte zgjedhur në këtë post, si deputete e Vetëvendosjes, por pas kalimit të saj në Grupin e Pavarur të Deputetëve, asaj më nuk i takon ky post. Ajo ose duhet dhënë dorëheqje ose do të shkarkohet nga Kuvendit./Lajmi.net/