Dhjetëra mijëra pushues nga Britania e Madhe e vizitojnë Evropën çdo vit. Por pas rezultatit të referendumit që u shpall zyrtarisht këtë mëngjes, shumë prej këtyre pushuesve që preferojnë Evropën, kanë një sërë pyetjesh pa përgjigje në mendje.
Çfarë do të ndodhë me pasaportën time? A do të humb në euro për shkak të një norme të ulët këmbimi?
Sigurisht që çdo kush që ka blerë euro të mërkurën dhe të enjten, do të jetë në një pozicion më të mirë sesa ata që e bëjnë pas kësaj dite. Nëse normat e ulëta mes paundit dhe euros vazhdojnë, pushimet verore për britanikët do të jenë më të shtrenjta.
Andrew Brown nga “Post Office Travel Money”, e cila përbën rreth një të katërtën e të gjitha transaksioneve të këmbimit valutor në Mbretërinë e Bashkuar, u bëri thirrje pushuesve që të “shikojnë lëvizjet e monedhës me shumë kujdes”.
Çmimet e benzinës dhe naftës pritet gjithashtu të lëvizin ngadalë. “Travel ABTA” publikoi një deklaratë për udhëtarët që shkojnë jashtë vendit, duke i paralajmëruar se këtë verë do të shohin “ndryshime të vogla në pushimet e tyre”.
Sa u përket pasaportave që lexojnë “Bashkimi Evropian”, “Mirror” shkruan se me shumë mundësi, britanikët do të mbajnë të njëjtat pasaporta deri në përfundimin e afatit të tyre.
Ka edhe një sugjerim që pushuesit në Mbretërinë e Bashkuar që duan të shkojnë në Evropë me automjetin e tyre, mund t’u duhet që të aplikojnë për një Leje të Drejtimit Ndërkombëtar.
Miliona britanikë mbështeten në Kartën Evropiane të Sigurimeve Shëndetësore (EHIC) kur udhëtojnë në kontinentin evropian. Për britanikët, EHIC do të thotë se ata kanë të drejtë për të njëjtin nivel të kujdesit shëndetësor, siç mund të kishte një rezident i shtetit evropian që viziton Britaninë.
Pas vendimit për të lënë BE-në, ekziston frika se e vetmja mënyrë për të marrë kujdesin në Evropë, është sigurimi i kushtueshëm privat./Shekulli Online/