Komisioni Elektoral i Partisë Demokratike për zgjedhjet e kreut të ri të PD-së njoftoi dje se anëtarët që kanë një kartë anëtarësie të cilitdo vit, por nuk kanë emrin në regjistrin elektronik, të paraqiten brenda datës 12 korrik pranë degëve të PD, pasi do futen në një listë shtesë për të bërë të mundur votimin në datë 22 korrik.
Sipas komisionit, të gjithë ata që kanë kartë nga viti 1991, por nuk e gjejnë emrin në regjistrin e anëtarësisë të paraqiten për t’u regjistruar e për t’u bërë pjesë e listës për votim. “Komisioni elektoral i Partisë Demokratike njofton se: Të gjithë anëtarët e PD që kanë një kartë anëtarësie të cilitdo vit, që nga viti ’91 e këtej, por nuk e kanë emrin në regjistrin elektronik të anëtarësisë, të paraqiten deri në datë 12 korrik pranë degëve të PD ku banojnë, ku sipas udhëzimit, do të futen në një listë shtesë, për të bërë të mundur votimin më 22 korrik, për zgjedhjen e kryetarit të PDSH”, thuhet në njoftimin e komisionit elektoral të PD-së.
Kreu i Komisionit elektorat për zgjedhjet në PD, z.Jemin Gjana, konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” se janë mbi 100 mijë anëtarë të regjistruar që kanë kartën dixhitale, por që kësaj liste pritet t’i shtohen edhe të tjera, pasi bëhet fjalë për anëtarët e PD-së, që mbartin kartën e anëtarësisë që nga viti ’91 e këtej. Z.Gjana pohon se procesi po ecën normalisht dhe se më datën 12 korrik do të përpilohet lista shtesë e anëtarësisë së vjetër, e cila pret të shtojë numrin e anëtarësimeve në PD, që pritet të votojnë në 22 korrik për kreun e ri të PD-së. Para pak ditësh, ky komision pas mbledhje së parë të tij nxori një udhëzim të posaçëm për procedurat zgjedhore. Sipas udhëzimit, në çdo degë të PDSH-së në rrethe do të ngrihet një qendër votimi.
Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni OKOE me propozim të kryesive të degëve, jo më vonë se data 15.07.2017. Në selinë qendrore të PDSH-së do të ngrihet qendra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege, mund të votojnë edhe anëtarët e kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.06.2017, të cilët mund të votojnë edhe në qendrën e votimit të degës ku banojnë. Për çdo qendër votimi ngrihet komisioni me përbërjen e mëposhtme: Një nga nënkryetarët e degës, kryetari. Dy anëtarë kryesie. Një përfaqësues nga secili kandidat për degën përkatëse. Kryetari dhe dy anëtarët e kryesisë në përbërje të komisionit të votimit zgjidhen nga kryesia e degës me votim të fshehtë.
Vendimi i kryesisë së degës për përbërjen e komisionit i njoftohet Komisionit OKOE brenda datës 15.07.2017. Degët e PDSH-së janë përgjegjëse për organizimin e takimeve të anëtarë- sisë me kandidatët sipas grafikut që do dërgohet nga sekretariati organizativ i PDSH-së, i cili e rakordon këtë grafik paraprakisht me kandidatët në garë. Fleta e votimit miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve”. Gjana theksoi se lista e votuesve miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. “Kjo listë përmban: regjistrin elektronik të anëtarësisë së PDSH-së të përditësuar deri në datën 28.06.2017. Emrin e çdo anëtari të PDSH-së, që disponon një tesër anëtarësie ndër vite, por që nuk figuron për arsye teknike në regjistrin e përditësuar elektronik. Këta anëtarë të paraqiten deri në datën 12.07.2017 pranë degëve përkatëse të PDSH-së në rrethe me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë. Dega e PDSH-së administron një fotokopje të dokumentit dhe pasi e verifikon, harton një listë shtesë të cilën ia përcjell komisionit OKOE brenda datës 15.07.2017.
Votuesit duhet të paraqiten për votim me kartën e identitetit ose pasaportën biometrike Orari i hapjes së qendrës do të jetë nga ora 08:00 deri në 19:00. Në qoftë se ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej këtij orari, qendra e votimit nuk do të mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre”.