Aktuale

Ja pse ndodhi vrasja në Kukës, ngjarja në një dasëm në fshat

Vrasja e një natë më parë në fshatin Orgjost, të Njësisë Administrative të Zapodit në Kukës, e ka zanafillën shumë vite më parë, kur babai i viktimës ka vrarë babain autorit të vrasjes me thikë.

Burime pranë policisë së Kukësit bëjnë me dije se, dy familjet Memishi (Alidini) dhe Isa janë në hasmëri prej më shumë se një dekade, ndërkohë që konflikti është rindezur pas një tjetër incidenti që ka ndodhur mes autorit dhe viktimës së mbrëmshme, kur ky i fundit e ka ofenduar autorin e vrasjes vetëm pak javë më parë. Ky i fundit, Ismail Memishi (Alidini) dyshohet se ka planifikuar gjithçka çfarë ka bërë mbrëmë, kur theri disa herë më thikë Miraim Isa 29-vjeç, i cili ndërroi jetë në spitalin e Kukësit, shkruan shqiptarja.com

Të njëjtat burime saktësojnë se, viktima ka qenë duke parë një dasëm, e cila po zhvillohej në fshat, kur papritur autori i krimit e ka goditur disa herë më thikë duke i shkaktuar edhe plagë të shumta në trup.

Tashmë Ismail Memishi (Alidini) është arrestuar nga policia e Kukësit, ndërkohë që familja Isa ka hapur dyert e mortit.