Komisioni evropian nuk dëshiron të përgjigjet nëse është në frymën e demokracisë dhe garës politike të mos njihet humbja në zgjedhje të qeta dhe demokratike në Maqedoni, që është konstatim edhe i vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-së.
Megjithatë, nga Brukseli zyrtar i referohen deklaratës së përbashkët të para dy ditëve të Përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini dhe eurokomisarit për negociata për zgjerim, Johanes han.
“Komisioni e mbështet tërësisht vlerësimin preliminar të ODIHR-së të zgjedhjeve dhe zbatimin e tyre. Aty ceken rezultatet preliminare, por ta presim epilogun nga proceset e ankesave dhe parashtresave”, theksoi zëdhënësja e Eurokomisionit, Maja Kocijançiç.
Përndryshe, në kumtesën e tyre të përbashkët para dy ditëve për zgjedhjet në Maqedoni, Mogerini dhe Han potencuan se “zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në IJR të Maqedonisë kaluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, me jehonë të mirë të votuesve”. Ata konstatuan se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë element kyç i marrëveshjes së Përzhinos nga viti 2015 dhe se të njëjtat “i ofrojnë vendit mundësi kyçe për ripërtëritje të dialogut demokratik, konstruktiv për tejkalimin e krizës së gjatë pulitke dhe bashkim prapa qëllimit të përbashkët të integrimeve euro-atlantike”.
Përfaqësuesja e lartë e Unionit dhe eurokomisarit, gjithashtu kërkuan parti politike në Maqedoni “të veprojnë në një mënyrë inkluzive, që përfshin opozitë aktive parlamentare dhe shoqëri dinamike qytetare”.
Komisioni shtetëror zgjedhor doli me rezultate zyrtare preliminare të zgjedhjeve, në të cilat sipas KSHz-së, fituese është VMRO-DPMNE në pushtet me 51 mandate të fituara në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Maqedonisë. Pas VMRO-DPMNE-së pasojnë LSDM me 49 mandate, BDI me dhjetë, BESA me pesë, Aleanca për shqiptarët me tre dhe PDSH me dy mandate të deputetëve.
Megjithatë, pas ankesave të dy nga partitë e lartëpërmendura, sot KSHZ do të vendosë nëse do të ketë shfuqizim të votimit në dy vendvotime në njësitë zgjedhore gjashtë dhe pesë dhe nëse kjo do të ndikojë në epilogun përfundimtar të votimit.