Policia e Tiranës ka dhënë informacionin e parë zyrtar në lidhje me ndjekjen që ju bë mbrëmë para mesnate një automjeti në të cilin lëviznin dy persona të armatosur.
“Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:20, Policia e Tiranës ka evidentuar dhe goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje dhe mosbindjes së punonjësve të policisë për të ndaluar, ku falë punës së mirëorganizuar dhe ndjekjes nga ana e shërbimeve të Policisë, kapen dhe arrestohen drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri”, njofton policia.
Gjatë ndjekjes nga Policia të automjetit ku udhëtonin dy personat që mbanin armë zjarri me vete, drejtuesi i automjetit ka përplasur duke u shkaktuar dëme materiale 4 automjeteve të tjera.
Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri të tipit “Pistoletë”, të cilat u hodhën në një oborr banese dhe në një rrugicë nga drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.3, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj jetës dhe pronës në policinë e Tiranës, u bë arrestimi në flagrancë i Gentjan Koçi, 25 vj
Në rrugën “Jordan Misja”, duke lëvizur me automjetin tip “Tuareg”, i cili drejtohej nga Gentjan Koçiu dhe pasagjer Ervin Kodra, nuk i janë bindur shenjës së ndalimit të shërbimit të “Forcës së Posaçme Shigjeta”, pasi mbanin sende të kundraligjshme në mjet (2 armë zjarri pa leje), por janë larguar me shpejtësi me mjet, duke u bërë burim aksidenti e duke u përplasur edhe me 4 mjete të tjera në rrugë duke iu shkaktuar dëme materiale dhe pas ndjekjes nga ana e shërbimeve të Policisë ata janë ndaluar në rrugicat e rrugës “Jordan Misja”, ku dhe u bë arrestimi në flagrancë i tyre.
Gjithashtu nga ana e shërbimeve të Policisë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri të llojit “Pistoletë”, të hedhura prej tyre pasi braktisën mjetin, në oborrin e një banese dhe në një rrugicë.
Policia thotë se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Shkatërrim prone” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”. /Gazeta Express