Derisa ka nisur punën qeveria e re e Kosovës, në opinion kanë nisur të qarkullojnë emrat e mundshëm për zëvendësministra.
Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i zëvendësministrave që do të ketë qeveria e re, Blic ka mësuar disa nga emrat e mundshëm nga PDK që do të mund të marrin poste zëvendësministrash.
Zëvendësministri i deritashëm i Arsimit, Muvledin Krasniqi sërish mund të emërohet në postin e zëvendësministrit.
“Krasniqi sërish mund të emërohet zëvendësministër. Ende nuk i është caktuar pozita, por sipas të gjitha gjasave do t’i jepet një pozitë zëvendësministri”, tha ky burim.
Muvledin Krasniqi ishte zëvendësministër i Shëndetësisë dhe i Arsimit në qeverisjen PDK- LDK.
Post të zëvendësministrit mund të marrë edhe nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti.
Hoti i cili ushtronte postin e zëvendësministrit të Kulturës, sërish mund të marrë të njëjtin post.
Si emër tjetër për postin e zëvendësministrit, po përmendet edhe Nehat Mustafa, i cili ishte i dyti në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Merret vesh se si emra të mundshëm për zëvendësministra nga PDK është ai i Shaip Mujës, Kurtan Kajtazit, Taulant Selmanit etj.
Ndryshe, Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka 21 ministri dhe 5 zëvendëskryemnistra, duke u cilësuar kështu së bashku me qeverinë Mustafa, si më të mëdhat që nga paslufta.
Zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për procesin e emërimit të zëvendësministrave e as rreth asaj se sa të tillë do t’i ketë kabineti Haradinaj.