Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe bashkëfshatari i tij Musa Xhaferi, gjithashtu faktor në partinë shqiptare në pushtet në Maqedoni, kërkojnë rreth 90 mijë euro nga ish-shefi i kundërzbulimit maqedonas Sllobodan Bogoevski. Ai akuzohet për shpifje dhe fyerje lidhur me dëshminë e paraqitur në gjykatën e Nju-Jorkut për rastin Magjar Telekom.
Por, Bogoevski tha se akuzat e zyrtarëve të BDI-së janë të pabaza ndërsa tregoi për një letër nga Komisioni amerikan për letra me vlerë i cili thotë se një gjyqësor i pavarur nuk mund të funksionojë në qoftë se dëshmitarët frikësohen për shkak të një deklarate të dhënë para gjykatës.
“Sipas nenit 368 të Kodit Penal, ndikimi ndaj dëshmitarëve në procedurë gjyqësore është i dënueshëm. Nëse kjo nuk refuzohet menjëherë, do të ngre procedura penale kundër kërkuesve dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë procedurë. Nuk mund të padisni askënd për fyerje ose shpifje për dëshmi të dhënë në procedurë gjyqësore”, u shpreh Sllobodan Bogoevski, shef i kundërzbulimit.
Seanca e sotme gjyqësore u shty për shkak se nuk ishin respektuar afatet për përgjigje ndaj padisë së ngritur nga funksionarët e BDI-së. Avokatët e Bogoevskit thanë se padia është ngritur dhjetorin e kaluar. “Ne besojmë se këto padi janë ngritur në interes të fushatës aktuale politike, apo për zgjedhjet dhe pritej të shpallet se kur do të ketë zgjedhje”, u shpreh Valentin Zafirov, avokat i Bogoevskit.
Sllobodan Bogoevski para gjykatës së qarkut në Nju Jork, deklaroi se Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe Vllado Buçkovski, i cili atëherë ishte Kryeministër, nga drejtorët e atëhershëm të Magjar Telekomit kanë marrë ryshfet prej 2.5 milionë euro për të siguruar garanci se në tregun e Maqedonisë nuk do të hyjë operator tjetër i telekomunikacionit.
Ndërmjetësuesi, sipas dëshmisë së Bogoevskit, ishte biznesmeni grek Dimitris Kondominas. Vitin e kaluar hetime për dëshminë e ish-shefit të kundërzbulimit ngriti edhe prokuroria për krim të organizuar, por nuk e përfundoi procedurën.