Aktuale

Ja çka ndodhi gjatë kësaj jave

Muri në veri të Mitrovicës edhe pse është rrënuar gjatë ditëve të vikendit, ishte temë diskutimi edhe gjatë kësaj jave. U cilësua si veprim cinik por edhe si veprim i matur dhe i koordinuar i institucioneve të Kosovës. Megjithatë, u premtua se në Kosovë nuk do të ketë mure.

Zhvillimet pas heqjes së murit dhe fillimi i punëve në atë pjesë, por edhe zhvillimet që ndodhën në Kosovë nga e hëna deri të premten po ua sjellim më poshtë.

………………………………………………..

Veseli siguron se s’do të ketë më mure, rrëzimin e tij opozita e quan cirk

E HËNË, 06 SHKURT 2017 15:05 | KOSOVAPRESS

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka siguruar se nuk do të ketë më mure në Kosovë, e as në veri të vendit. Ai ka thënë se në Mitrovicën e veriut nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve me mure e as me pengesa tjera.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u vendos që të enjten të ketë seancë plenare me 23 pika të rendit të ditës, kreu i legjislativit theksoi se veprimet e fundit të strukturave paralele që kanë tentuar ta cenojnë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, kanë shqetësuar qytetarët e vendit.

 

“Muri më nuk do të ketë në Kosovë, jeni edhe dëshmitar se ai është rrënuar përfundimisht. Tani do të ketë një projekt të ri, i cili do të jetë në përputhje me institucionet e Kosovës, me lëvizjen e lirë të qytetarëve në të cilën do të ketë hapësira të gjelbëruara, në të cilin do të ketë kalime që do të jetë në nivelin zero, keni parasysh në nivelin zero, edhe për qytetarët, në të njëjtën kohë edhe për makinat e emergjencës siç janë në sheshin ‘Nënë Tereza’. Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje, në njërën pjesë është rreth nëntë metra, për aq sa ka qenë përafërsisht rruga kryesore, të gjithë ata që janë mitrovicali e dinë. Le të jenë të sigurt, mos të bien pre e asnjë provokimi apo abuzimi që është politik”, ka thënë Veseli.

Kreu i Kuvendit ka ftuar bashkëqytetarët e tij të Mitrovicës që të jenë të sigurt në atë çfarë po bëjnë, duke e quajtur në interesin e Mitrovicës, sipas të cilit do të jetë një Mitrovicë e bashkuar dhe se nuk do të ketë jug dhe veri.

Rrëzimin e murit e ka përshëndetur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke e quajtur vendim të mirë rrënimin nga vet ata që e kanë ndërtuar.

Por opozita po e sheh si cirk rrëzimin e murit në veri. Kjo, meqë sipas Driton Çaushit të Vetëvendosjes, një mur tjetër pak metra larg atij që u rrëzua do të fillojë të ndërtohet nesër.

 

“Me duhet të them se ajo që po ndodh në ditët e fundit është vetëm një manipulim i opinionit publik për shkak se po zhvillohet një cirk lidhur me murin i cili rrëzohet dhe ringritet me pretendimin se Kosova po kthen sovranitetin dhe kontrollin mbi veriun e vendit. Ju besoj e keni dëgjuar kryetarin e Kuvendit që ka deklaruar se muret i takojnë së kaluarës, megjithatë të gjithë e dimë se nesër do të filloj ndërtimi i një muri të ri”, theksoi Çaushi.

Në rend dite për diskutim të enjten është futur edhe kërkesa e deputetit të AAK-së, Daur Haradinaj për të diskutuar rreth FSK-së dhe transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.  Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se kërkesa është për të debatuar rreth të ardhmes së FSK-së.

Por për këtë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se është çështje kohe se kur do të ndodh formimi i ushtrisë së Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri ka theksuar se nuk ka deputet që nuk është pro formimit të ushtrisë, por se duhet parë mundësinë se si kjo të arrihet.

…………………………………………………………….

Ambasada amerikane mirëpret marrëveshjen për rrënimin e murit në veri

E HËNË, 06 SHKURT 2017 15:37 | KOSOVAPRESS

Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen e 4 shkurtit të arritur mes Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shalës, dhe Kryetarit të Mitrovicës Veriore Rakiq lidhur me planin urban të reviduar për shndërrimin e Rrugës “Mbreti Pjetër” në zonë për këmbësorë.

“Ne përshëndesim kuvendin komunal të Mitrovicës Veriore për aprovim të shpejtë të planit të ri”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Ambasada amerikane ka theksuar se marrëveshja e arritur do të rezultojë me ndërtimin e një zone të bukur për këmbësorë që përmbushë marrëveshjen e 2015-ës për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës.

“Shumë mund të arrihet kur të gjitha palët bashkohen për të punuar për të mirën e përbashkët”, thuhet në fund të komunikatës./KosovaPress/

…………………………………………………………..

Pozita: Asociacioni dhe Demarkacioni duhet të kryhen; Opozita: Nuk do të bëhet asnjëra

E HËNË, 06 SHKURT 2017 16:13 | KOSOVAPRESS

Pozita e opozita ende vazhdojnë t’i kenë qëndrimet e kundërta rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Pushteti vazhdon ta fajësojë opozitën për mos kryerjen e këtyre dy proceseve, derisa opozita thotë se nuk do të lejojnë jetësimin e asnjërës.

Madje, Asociacioni dhe Demarkacioni mund të mos përfundojnë këtë vit, e ndoshta as nga kjo legjislaturë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thotë se çështja e Demarkacionit dhe Asociacionit, është shumë me rëndësi për vet Kosovën dhe qytetarët e saj.

 

“Shteti ynë është shumë funksional, ka mundësi të marr vendimmarrje dhe do t’i marr obligimet e veta që ka si shtet i pavarur. Keni parasysh Demarkacioni është duke na dëmtuar që nuk e kemi përfunduar deri tash, me së shumti qytetarët e Kosovës. Ndoshta është bërë një favor i mirë për ta mbajtur Kosovën një qosh për mos të marr vendimmarrje dhe ta mbaj Kosovën të izoluar pikërisht për ato vende të cilat brenda BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa, Asociacioni do të kryhet vetëm sipas Kushtetutës së vendit”, tha Veseli.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thekson se Asociacioni duhet të formohet, porse kjo duhet të bëhet konform Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Beqiri ka disa fjalë edhe për deputetët, siç i quan ai, me korrespodencë dhe që kanë nga dy- tre pasaporta.

Mirëpo, opozita vazhdon të këmbëngul se nuk do të lejojnë formimin e Asociacionit, e as ratifikimin e marrëveshjes aktuale për Demarkacionin.

Driton Çaushi nga Vetëvendosje, thotë se Asociacioni është antikushtetues në 23 nenet e Kushtetutës dhe e kanë gatishmërinë për të kundërshtuar me çdo mjet nëse një gjë e tillë mund të rikthehet në Kuvend.

 

“Një Aasociacion mon- etnik është i pamundshëm. Emri është i kontestueshëm edhe nga vendimi i Kushtetueses, pra një asociacion i komunave me shumicë serbe, prandaj nuk lë hapësirë për çfarëdo mënyre të zbatimit të këtij projekti”, tha Çaushi.

As marrëveshja për Demarkacionin, sipas Çaushit nuk mund të rikthehet në Kuvend ashtu siç është tani, sepse është dëshmuar se është gabim.

………………………………………….

Peja ende me akull dhe borë, komuna vonohet me tenderin

E HËNË, 06 SHKURT 2017 12:43 | KOSOVAPRESS

Rrugët e Pejës ende janë të mbuluara nga bora dhe akulli. Edhe pse në shumicën e qyteteve të Kosovës kompanitë kanë hequr borën nga rrugët, sidomos ato kryesore, njëjtë nuk është në qytetin perëndimor të Kosovës.

Në këtë qytet akulli dhe bora shihen ende në rrugët kryesore, pavarësisht se temperaturat janë ngritur dhe nuk ka reshje bore.

Qytetarët ankohen për gjendjen e rrugëve ndërsa fajësojnë zyrtarët e komunës për këtë neglizhencë.

Qerim Berisha, qytetar i Pejës tha për KosovaPress se më e pastruar ka qenë qyteza e Klinës sesa Peja, ndërsa thotë se nuk ka parë fare kamionë duke i pastruar rrugët e qytetit.

 

“ Vetëm një herë në jave një kamion, nuk është pastruar qyteti fare…Kemi pasur rast që Klina është pastuar më mirë, kurse qyteti i Pejës është llom krejt. Me kqyr edhe lagjet ku kalojnë qytetarët krejt janë me borë. Kemi dal në protestë për lirimin e Ramushit dhe krejt qytetarët janë të lagur në këmbë sepse nuk është pastru qyteti”, tha Berisha.

Sipas Ahmet Krasniqit për shkak të akullit dhe borës shumë njerëz kanë rrëshqitur duke thyer duar dhe këmbë.

 

“Probleme kemi pasur shumë për këtë borë që ka ra. Nuk e di fajet kush i ka, unë kisha thanë që të komunës.. Kemi pasur edhe lëndime dhe rrëshqitje të njerëzve, kanë thyer këmbë e duar, ka njerëz që edhe janë të paralizuar dhe pavetëdijeë prej kësaj…Prej Lugut të Baranit e kanë pastruar e ka pas ndërmarrja ‘Lika’ dhe e ka pastruar mirë, por për komunën e Pejës gjendja ka qenë katastrof qe një muaj”, tha Krasniqi.

Për këtë gjendje të rrugëve të Pejës, Shqiponjë Bytyqi fajin ia hedh kryetarit të Komunës. Sipas saj  njerëzit më shpesh kanë shkuar në spital sesa në punë për shkak të neglizhencës së tij.

Zyrtarët e komunës pranojnë se rrugët e Pejës nuk kanë qenë të pastruara nga bora, por krejt kjo sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Muhamet Mahmutaj ka ndodhur për shkak të vonesave të tenderimit.

 

“Këtë periudhë kohore në Pejë ka qenë një dimër i ashpër, edhe ka qenë me i ngarkuar me borë sesa qytetet e tjera. Vërtet që është marr me vonesë, por jo në atë kuptimin që mos me mujt me fillu punën, pra largimin e borës. Sepse po sa ka rënë bora operatorët kanë dal në terren dhe kanë filluar pastrimin e saj. Kanë punuar edhe natën edhe shpeshherë pas gjysmës së natës. Ne i kemi ndarë rrugët me prioritet dhe në radhë të parë i kemi pastruar rrugët me prioritet, pastaj kemi vazhduar në të gjihta fshatrat, bile edhe aty ku nuk ka pasur asfalt, jemi munduar të intervenojmë. Mirëpo, është e natyrshme sepse dimri ka qenë i fortë, temperaturat kanë qenë deri -25 gradë celsius. Edhe pse është pastruar, kanë ngel ngricat e akullit dhe akulli në një temperaturë të tillë nuk mund të shkrihet as edhe me hedhjen e kripës”, tha Mahmutaj.

Mahmutaj e pranon se kanë pasur ankesa nga qytetarët për këtë gjendje, por iu kërkon falje që nuk ka mundur t’iu dal në ndihmë. /KosovaPress/

……………………………………………………….

Duhani, shkaktari kryesor i vdekjeve nga kanceri i mushkërive

E HËNË, 06 SHKURT 2017 13:13 | KOSOVAPRESS

Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit ka mbajtur sot një tryezë shkencore në kuadër të Ditës Botërore kundër Kancerit.

Suzana Manxhauka-Kërliu, kryesuese e këtij Bordi tha se konsiderohet se në nivel global rastet e reja me kancer çdo vit janë 14 milionë , ndërsa në vitin 2030 parashihet që ky numër të shtohet në 21.7 milionë.

 

“Ndërsa vdekjet nga kanceri për vit janë 8.2 milionë në botë, ndërsa në vitin 2030 parashihen të shtohen në 13 milionë. Tipat më të shpeshta të kancerit konsiderohen kanceri i mushkërive, i gjirit, i prostatës dhe i lukthit”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se në këtë sferë Ministria është duke u angazhuar maksimalisht dhe serioziteti nuk mungon, pasi që sipas tij sfidat e shëndetësisë në raport me sëmundjet në përgjithësi sa po vjen e po shtohen.

 

“Problematika e sëmundjeve malinje po sfidon sistemet shëndetësore në mbarë boteën, pra edhe në vendet me një ekonomi shumë më të zhvilluar me sisteme shëndetësore të avancuara dhe me një përvojë profesionale të konsoliduar. Kosova dhe sistemi shëndetësor i saj padyshim se po ballafaqohet me këtë problematikë duke provuar se kemi mundësi, kemi potencial njerëzorë dhe profesional që së bashku me shoqërinë civile të ngremë shkallën e reagimit në nivelet më të larta të mundshme”, tha ai.

Ministri Rrahmani tha se kanë kaluar nëpër faza të rënda të ngritjes së institucioneve, infrastrukturës dhe krijimit të kuadrove profesionale, por sipas tij tash mund të flitet për një institucion të konsoliduar ku trajtohen rastet e sëmundjeve malinje.

Ndërsa, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se duhani vret rreth 6 milionë njerëz në nivel global çdo vit.

 

“Në bazë të statistikave duhani vret rreth 6 milionë njerëz në nivel global çdo vit. Ndërsa çdo 6.5 sekonda vdes nga një person si pasojë e shkaktarëve që janë të lidhur drejtpërdrejt me duhanin”, tha ai.

Mybera Mustafa, këshilltare  për shëndetësi e kryeministrit Isa Mustafa, tha se është për t’u çmuar puna e Bordit Nacional për Luftën kundër Kancerit.

………………………………………………………………

BE ndihmon autoritetet gjyqësore të Kosovës

E MARTË, 07 SHKURT 2017 12:21 | KOSOVAPRESS

Forcimi i cilësisë dhe efikasitet të drejtësisë në Kosovë është shume i nevojshëm dhe i duhur për autoritetet gjyqësore në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë hartuar dhe financuar projektin KoSEJ, për t’i ndihmuar autoritetet  gjyqësore në Kosovë lidhur me rritjen e efikasitetit  në nivel qendror dhe gjyqësor, duke iu ndihmuar me metodologji dhe mjete përkatëse dhe duke i siguruar ndihmë edhe për zbatimin e tyre.

Kështu u tha në konferencën e organizuar të projektit KoSEJ. Ky projekt do të zbatohet për 24 muaj dhe ka vlerën 900 mijë euro të buxhetit të përgjithshëm.

Me këtë rast, kryetari i Grupit Punues të CEPEJ, Francois Paychere deklaroi se e gjithë puna që ata bëjnë lidhet me aplikimin sa më të mirë të Konventës Evropiane.

Ndërsa, Esat Rama nga zyra e Ministrisë së Drejtësisë, deklaroi se roli kyç  për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në drejtësi, i takon natyrshëm kësaj ministrie.

Libor Chlad nga zyra e BE-së, deklaroi se Këshilli Evropian ka zhvilluar një metodologji që ka për synim ta ndihmojë kualitetin e drejtësisë në Kosovë.

 

“Në fakt, lidhja mes sundimit të ligjit dhe performancës ekonomike në përgjithësi është mjaft mire e përforcuar. Që Kosova të ketë sukses  ne tregun Evropian ajo duhet të arrije standardet evropiane në shumë fusha duke përfshirë edhe juridiksionin. E dimë se Këshilli Evropian e ka përkrahur drejtësinë kosovare dhe sundimin e ligjit në përgjithësi për një kohë të gjatë. Në kemi monitoruar gjykatat dhe ky aplikim ka qenë i dobishëm duke vënë në pah disa nga mangësitë që duhej adresuar duke përfshirë edhe vonesat kronike në dërgimin e vendimeve  juridike dhe efikasitetin në gjykatat indivudale në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme që ky aplikim ku gjykatat individuale në Kosovë janë nën procesin e vlerësimit dhe e cila do të qojë në rekomandime specifike se si duhet të përmirësojë performancën dhe të adresoj disa nga mangësitë të cilat i theksova”, tha Chlad.

Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, deklaroi se ka humbur besimi i qytetarëve si shkak i afateve të stërzgjatura të proceseve gjyqësore.

 

“Sa i përket afateve brenda të cilat duhet të vendosën gjyqtarët duhet të jemi realist se në disa raste, nuk është numri i vogël i rasteve që gjykata nuk mundet me dhanë drejtësinë brenda afatit të arsyeshme. Kjo nuk është tek të gjitha gjykatat, por më e shprehur tek Gjykata Themelore e Prishtinës, që është e stërngarkuar me lëndë. Kështu edhe gjyqtarët po të kenë vullnet, e kanë të pamundur që brenda afatit të arsyeshëm të palëve, lidhur me të drejtat dhe kërkesat e tyre të vendosin. Jemi të vetëdijshëm që palëve nuk iu intereson ngarkesa e gjykatave, ata kërkojnë që lëndët e tyre, kërkesat e tyre, të drejtat e tyre të vendosen brenda periudhës së arsyeshme”, tha Idrizi.

Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Isabelle Servoz-Gallucci deklaroi se po punojnë në kuadër të këtij projekti me qëllim të përmirësimit të sistemit së drejtësisë në Kosovë.

………………………………………………………….

Kosova ende jeton në të kaluarën, edhe në politikë

E MARTË, 07 SHKURT 2017 13:57 | KOSOVAPRESS

Kosova ende jeton në të kaluarën u tha sot në konferencën mbi drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën “Mësimet e nxjerra dhe idetë për të Ardhmen”.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean-Hubert Lebet, tha se në Kosovë është vetëm qe disa muaj, por një gjë që ai e ka vërejtur është se sa shumë e kaluara është prezent në të tashmen, e sipas tij edhe në politikë.

 

“Unë kam qenë në Kosovë vetëm për disa muaj, por një gjë që e kam vërejtur se sa shumë e kaluar është prezent në të tashmen edhe në politikë. Personat që nuk janë gjetur, viktimat e dhunës seksuale, dëshmorët, të gjitha këto janë fjalë të cilat mundesh me i vërejte dhe me i dëgjuar çdo ditë në lajme dhe po ashtu edhe në aktivitete e mia ditore. Këto janë edhe synimet pra që duhet të merremi me të kaluarën por këto nuk janë kategoria e vetme me të cilat duhet të kujdesemi për me u marrë me të kaluarën”, tha ai.

Ndërsa, Andreë Russell, koordinator i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, tha se është i bindur se tranzicioni në Kosovë do të vijë.

 

“Unë e di që tranzicioni do të vijë, gjithmonë drejtësia vihet në vend. Ndonjëherë drejtësia vonohet mirëpo gjithmonë shpaloset e vërteta, ndonjëherë vonohet, por që nuk kam dyshim as tash as në dedikimin e juaj që ta dërgoni këtë proces përpara, unë jam absolutisht i bindur se do të ecë procesi përpara dhe thjeshtë besoj në ju”, tha ai.

Zëvendësministri i Drejtësisë,  Florian Dushi tha se drejtësia tranzicionale është e dizajnuar për t’u zbatuar veçanërisht në shoqëritë që ndodhen në një proces ndryshimi, në proces të një trazicionit shoqëror, politik, ekonomik dhe po kështu edhe historik.

Konferencën mbi drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën “Mësimet e nxjerra dhe idetë për të Ardhmen” është organizuar nga UNDP.

………………………………………………

Nisin punimet për ndërtimin e sheshit në veri

E MARTË, 07 SHKURT 2017 14:21 | KOSOVAPRESS

Në Mitrovicën e veriut sot kanë nisur punimet për projektin e ri në sheshin “Mbreti Petar”.

Punimet kanë nisur disa metra larg murit i cili u rrënua të dielën, si rezultat i një marrëveshje në mes  Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës veriore Goran Rakiq.

Matjet për ndërtimin e sheshit janë bërë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në praninë e kryetarit të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq.

Ky i fundit tha se me ndërtimin e konstruksionit të ri po zbatohet marrëveshja e arritur më 4 shkurt.

Ai shpjegoi se ndërtimi do të bëhet rreth 2.2 metra larg murit të mëparshëm.

 

“Siç është arritur marrëveshja me 4 shkurt, sot po fillojmë ndërtimin e konstruksionit të ri, e cila do të tërhiqet nga konstruksioni i mëhershëm për 2.2 metra në thellësi të hapësirës për këmbësorë. Jemi duke pritur inspeksionin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç shihet bagerët janë në terren të cilët po e pastrojnë terrenin, dhe vërtet nuk do të bëjmë asgjë derisa të vijnë edhe të konfirmohet ajo që është arritur me marrëveshje”, tha Rakiq.

E qytetarët e Mitrovicës nuk kanë treguar entuziazëm për ndërtimet e reja. Ata shprehen se më shumë janë të interesuar për paqe dhe bashkëpunim të ndërsjellë në mes dy komuniteteve.

Zorab Bozhoviq, qytetar nga Mitrovica e veriut, i ka thënë KosovaPress-it se ndërtimi i mureve nuk ndihmon, derisa ka mirëpritur nisjen e punimeve të sheshit në këtë pjesë.

Tha se me rendësi është të ketë paqe dhe bashkëpunim.

 

“Po, është diçka që po bëhet e mirë, veç mos të mbetet kështu. Nuk e di kush po i bënë këto mure kështu dhe pse po i bën, por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk duhet të jetë muri ty, me rëndësi të ketë paqe dhe bashkëpunim, ndërsa muret nuk ndihmojnë”, tha Bozhoviq.

Edhe Adem Mripa,  qytetar nga veriu i Mitrovicës,  mendon se në të ardhmen duhet të ndërtohen ura të bashkëjetesës. Ai tha të gjithë duhet të largohen paragjykimet për Serbinë e madhe.

Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut, me lehtësimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fundjavë arritën një marrëveshje për rrëzimin e murit prej betoni në lartësi prej dy metrash. Në kuadër të saj, palët ishin pajtuar për planin e ri, ku do të ndërtohen  edhe disa shtylla në zonën e këmbësoreve, që do të shtrihen në sheshin ‘Mbreti Petar’.

……………………………………………………

Kuvendi Komunal i Prishtinës me deklaratë mbështetëse për Ramush Haradinajn

E MARTË, 07 SHKURT 2017 15:27 | KOSOVAPRESS

Kuvendi komunal i Prishtinës ka miratuar një deklaratë në mbështetje të ish- kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i ndaluar nga autoritetet e Francës një muaj më parë në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Serbia.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme e  thirrur nga AAK-ja, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Ibrahim Mehmetaj tha se nxjerrja e kësaj deklarate në mbështetje të ish kryeministrit Haradinaj nga ana e Kuvendit Komunal vjen pas ndalimit të padrejtë të Haradinajt dhe reagimit nga mbarë bota shqiptare.

 

“Ne asamblistët e Kuvendit komunal të Prishtinës përfaqësues të qytetarëve të Prishtinës, pavarësisht përkatësisë politike përmes kësaj deklarate shprehim shqetësimin dhe kundërshtimin tonë lidhur me ndalimin dhe mbajtjen e padrejtë të ish kryeministrit Haradinaj nga autoritetet e drejtësisë së Francës me një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Vendimin për ndalimin e tij nga shteti mik Franca e cilësojmë si të padrejtë dhe të pajustifikueshëm. Ish komandanti i ZOD-së dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj e ka dëshmuar me shkuarjen në Tribunalin e Hagës i cili në dy shkallët  vendosjes e ka konfirmuar pafajësinë e tij dhe e shpalli të pafajshëm duke e lënë të lirë”, theksoi Mehmetaj.

Me tutje në deklaratë, kërkohet edhe nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë më shumë për heqjen e fletarresteve të lëshuara nga Serbia.

Lideri i AAK-së u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Ai pritet që pasnesër të dal para Gjykatës në Francë, ku do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e tij në këtë shtet.

……………………………………………………

Mustafa e Shala sigurojnë qytetarët, s’ka pengesa për lëvizje në veri

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 13:05 | KOSOVAPRESS

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ritheksoi se marrëveshja për rrëzimin e murit, është e mirë dhe në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

Mustafa para kabinetit qeveritar theksoi se ka pasur takime intensive me përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës Veriore, kryetarin e komunës si dhe përfaqësuesit politik të serbëve, për të gjetur zgjidhje për çështjen e murit në Mitrovicë.

 

“Është arritur një marrëveshje që konsideroj se është një marrëveshje shumë e mirë, ligjore, është zgjidhur një problem në mënyrën me të mirë në saje të mirëkuptimit dhe veprimin e mënjanimit të atij muri e ka bërë vet komuna dhe organet komunale. MMPH-ja gjatë tërë kohës kanë marr të gjitha masat ligjore dhe kanë respektuar procedurat prej vërejtjeve që ka dhënë inspekcioni i MMPH-së deri në momentin e fundit që është nënshkruar marrëveshja”, tha Mustafa.

Në lidhje me murin e ndërtuar në veri të Mitrovicës ka folur edhe ministri i Mjedisit, Ferat Shala, i cili tha se marrëveshja është legale dhe është bërë me pajtimin e institucioneve dhe deri më tani është zbatuar plotësisht.

Shala theksoi se marrëveshja është plotësisht legale, sepse është arritur mes palëve të institucioneve pavarësisht se ka tendenca tjera.

Ai ka siguruar qytetarët se nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.

 

“Në këtë pjesë që së fundi është bërë debat, jo është muri, jo nuk është muri, pra nuk ka mur, në atë shesh nuk ka muri, ka vazo lule në dy nivele, i pari me 40 centimetra dhe i dyti me 70 centimetra, ku do të jenë të hapur dhe të mbushura me lule, dhe asnjë lloj muri, asnjë lloj simbolike….ju garantoj se nuk kemi nevojë për asnjë lloj shqetësimi që do të ketë mure tjera, pengesa tjera as në lëvizje e asnjë lloj tjetër”, shtoi Shala.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka marr vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Për shënimin e këtij përvjetori Qeveria ka ndarë 70 mijë euro ndërsa kryetar i Këshillit Organizativ është emëruar ministri i Kulturës Kujtim Shala.

Po ashtu, në është miratuar edhe platforma vjetore e politikës së inteligjencës dhe sigurisë për vitin 2017 si dhe një sërë propozim-vendimesh dhe projektligjesh.

Qeveria po ashtu ka miratuar edhe 3 marrëveshjet financiare në vlerë prej 158 milionë euro, të cilat janë negociuar paraprakisht me Qeverinë e Francës, Qeverinë e Hungarisë, Qeverinë e Austrisë, si dhe ka miratuar Garancinë Shtetërore me BERZH-in për Linjën e Dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro./KosovaPress/

…………………………………………………

Nesër debat në kuvend për transformimin e FSK-së në ushtri

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 15:14 | KOSOVAPRESS

Nesër në seancën paraletrare të Kuvendit të Kosovës do të debatohet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) në ushtri.

Megjithëse, në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga deputetë të partive në pushtet u tha se ende nuk janë pjekur kushtet për një debat publik për formimin e ushtrisë së Kosovës, por me shumicë votash u vendos që ky debat të zhvillohet nesër në emër të komisionit për Siguri.

Kryetari i këtij Komisioni, Daut Haradianj nga radhët e AAK, tha se me pakon e Marti Ahtisarit, Kosova do të duhej ta kishte ushtrinë në vitin 2013, por sot e kësaj dite end institucionet përkatëse nuk po janë të gatshme të themelojnë forcën e armatosur.

 

“Edhe në rrethana më të vështira dikush u dashtë me marr vendime, e dini mirë ne edhe kur kemi themeluar ushtri për me çliruar vendin nuk e kemi pyetur askënd. Tash ka ardhur koha me bë ushtri për me ruajtur vendin pa e rrezikuar askënd. Edhe kjo duhet me u bërë aty ku është vendi, e tempulli është parlamenti i Kosovës. Kështu që ajo pikë edhe një herë po them kolegë të mi të komisionit ju ftoj që nesër me ndihmuar këtë temë. Askush nuk ka nevojë me u shqetësuar”, tha Haradinaj.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, vlerësoi se duhet dhënë kontribut për bërjen e ushtrisë, dhe sipas saj, PDK-ja është që sa më shpejt Kosova ta ketë ushtrinë.

 

“Asnjë herë nuk kemi qenë kundër, asnjë deputet qoftë nga pozita qoftë nga opozita nuk e kanë kundërshtuar mundësinë e inicimit të debatit. Të gjithë jemi dakorduar që një debat i tillë mund të ndodhë dhe mund të vij në kuadër komisionit dhe të jemi unik. Mos të luftojmë se kush… bile po dua me citua edhe një herë Anton Qunin nga mbledhja e fundit, edhe sot mungon ku thotë se të jemi të kujdesshëm dhe mos të marrim bajraktarizma apo thjesht të bëhet më e mira e mundshme për çështjen të cilën jemi dakorduar. Për mua ka qenë shumë e pa kuptimtë kur merr asistentja e GP dhe mua më njofton hajde me nënshkruar  një nismë që e ka marr Komisioni për Punë të Brendshme dhe Sigurim në të cilin komision unë jam nënkryetare dhe nuk kam njohuri për një nismë të tillë”, tha Musliu.

Për debatin e nesërm Nuredin Ibishi nga LDK, tha se duhet të shterën të gjitha mundësitë para se të ndodhë ky debat,  dhe sipas tij, ende nuk janë shterur mundësitë e brendshme konsultative.

Deputeti Rexhep Selimi nga radhët e LVV-së,  u pajtua që nesër të ketë debat në seancë për transformimin e FSK-së, ngase kuvendi është vendi më i përshtatshëm.

Deputeti nga radhët e Nisma-s, Zafir Berisha, duke akuzuar PDK-në, tha se ky subjekt e ka lënë Kosovën pa ushtri. Berisha, nuk pret debat konstruktiv nga diskutimi i nesërm në Kuvend për ushtrinë.

 

“Shumë seriozisht po them dhe me plotë kompetencë sipas këndvështrimit tim, PDK-ja është ajo që ka lënë Kosovën pa ushtri. Pra, PDK është vërtet se ka lënë Kosovën pa ushtri dhe në bazë të kësaj që ju të dy po folni do të thotë se edhe shumë vjet Kosova nuk do të ketë ushtri(…) jeni subjekt që keni shkatërruar Kosovën”, tha Berisha.

………………………..……………………………………………………..

Komuna e Prishtinës largon nga banesat komunale zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 15:30 | KOSOVAPRESS

Komuna e Prishtinës ka vendosur që në banesat e ndara komunale në “Bregun e Diellit” t’i largojë të gjithë ata që nuk i përkasin rasteve sociale, kategorive të luftës dhe që nuk janë invalidë të punës.

Në një konferencë për media drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, tha se kjo është vendosur që të largojë nga banesat komunale të gjithë ata që nuk e meritojnë. Sipas tij pushtetarët e kaluar të komunës së Prishtinës në saje të privilegjeve që i kanë pasur i kanë ndarë vetes banesa. Kukaj thotë se ato banesa do t’ua marrin dhe do t’u jepen njerëzve që kanë nevojë..

 

“Pra ky është një vendim, një qëndrim politik i qeverisjes se Lëvizjes Vetëvendosjes të cilën e kemi marrë në bashkëpunim me kryetarin tonë Shpend Ahmeti. Shpresoj që të mos keqkuptohet e të mos interpretohet si ndonjë lloj hakmarrje politike, por si një vendim i drejtë ku do të largohen ata që më të vërtetë nuk kanë nevojë dhe do të zëvendësohen me të tjerë që më të vërtetë kanë nevojë. Të tillë, si përfitues mund ta gjeni prej kryesuesit të asamblesë komunale Halim Halimi i cili ka përfituar atë banesë si ish drejtor, gjithashtu Sabedin Haxhiun e Muhamet Gashi, Agim Dibrani, të gjithë drejtorë në atë kohë kur janë dhënë banesat vetës së tyre. Gjithashtu ka edhe asamblist të atëhershëm por edhe të tashëm, sikurse Shemsi Veseli nga radhët e PDK-së”, tha Kukaj.

Drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës tha se do të largohen të gjitha ata që nuk janë raste sociale për t’i zëvendësuar me raste që sipas tij me të vërtetë kanë nevojë.

 

“Kemi marrë një vendim ose duhet t’iu kumtoj një qëndrim politik të qeverisjes sonë që për banesat e ndara në ‘Bregun e Diellit’, për të cilat është folur shumë që janë diku rreth 50 banesa, ne kemi vendosur që përjashtimisht prej kategorive që u kanë ndarë kategorive të luftës, rasteve sociale, të invaliduarëve në punë që ka raste të tilla që kanë përfituar banesa, të gjithë të tjerët ne kemi vendosur që prej aty t’i largojmë e njëkohësisht të shpallim një konkurs të ri, që të njëjtit t’i zëvendësojmë me raste që me të vërtetë kanë nevojë”, tha Kukaj.

………………………………………………………..

“Alternativa” nis rrugëtimin nga Mitrovica

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 15:41 | KOSOVAPRESS

Subjekti politik “Alternativa” e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës, është prezantuar sot në qytetin e Mitrovicës.

Për partinë më të re kanë folur Ilir Deda, Mimoza Kusari-Lila dhe Mehmet Mehmeti, të cilët thanë se kanë vendosur që rrugëtimin e tyre ta fillojnë pikërisht në Mitrovicë, për shkak se ky qytet tregon më së miri që shteti dhe pavarësia e Kosovës nuk janë arritur në plotëni.

 

“Neve na bashkon vizioni për shtet-ndërtim në vendin tonë, e mungesa e shtet-ndërtimit shihet më së miri në Mitrovicë. Pa e përfunduar procesin e shtet-ndërtimit në Mirtovicë, ne nuk mund të themi se Kosova e ka përmbyllë pavarësinë e saj brenda. Jemi këtu me u zotu se nuk e kemi ndërmend që me fjalë boshë dhe pas 18 vjet të lira me premtu gjëra koti, por po ju themi diçka, në vizionin tonë, Mitrovica është një prej shtyllave të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Deda.

Kurse, themeluesja tjetër e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke treguar arsyet pse kanë zgjedhur rrugëtimin e kësaj partie, pikërisht në Mitrovicë, tha se Mitrovica është problem i hapur dhe burimi i problemit që rëndon vendin.

 

“Në Mitrovicë sot është burimi i problemit që e rëndon Kosovën. Sot është Mitrovica ajo në nivel të Kosovës që tregon se shteti dhe pavarësia e Kosovës nuk janë në plotëni, dhe se Mitrovica është problem i hapur…Jemi në Mitrovicë për të treguar se si Alternativë nuk krijojmë probleme për të zgjedhur ato dhe për të marrë kredi për problemet që nuk kanë ekzistuar, por, jemi bërë bashkë për të zgjedhur ato probleme të cilat secili qytetar i tërë Kosovës i ka, që secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë, vuajnë sot nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e një integriteti personal që secili individ duhet ta ketë, vuajnë sot nga mungesa e drejtësisë. Nuk janë më mirë sot shqiptarët në jug të Mitrovicës sesa serbët në veri të Mitrovicës. Ju jetoni çdo ditë me ta, problemi nuk janë qytetarët, problemi është politika dhe kjo politikë duhet të ndërrohet…. Mitrovicë ju meritoni m ë shumë, më mirë, krejt Kosova meriton më mirë”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i zgjedhur i kësaj partie në Mitrovicë, Mehmet Mehmeti, tha se përkundër shumë partive politike ekzistuese, Kosova ka nevojë për një parti të re siç është Alternativa.

Anëtarët e trupit koordinues të Alternativës në Mitrovicë u zgjodhën, Nysret Cubreli, Fadlije Zhubi, Hysni Pireva, Xhevdet Çitaku, Bajram Shala, Luljeta Buçinca- Zhubi, Fikrije Dinaj, Nazmi Ismajli, Erblin Osmani, Kaltrina Hasani, Diellza Sadiku, Shaban Citaku, ndërsa kryetar i këtij trupi u zgjodh Mehmet Mehmeti./KosovaPress/

…………………………………………………..

Të rinjtë e AAK-së: Krimet e Serbisë mos t’i faturohen UÇK-së

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 16:19 | KOSOVAPRESS

Të rinjtë e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës kanë mbajtur sot para Pallatit të Drejtësisë një aksion simbolik duke shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me neglizhencën e institucioneve të Kosovës për të mos u marrë me krimet e kryera në Kosovë nga policia dhe ushtria serbe.

Me moton  ‘’A ka kush i gjykon’’ të rinjtë e AAK-së kanë thënë se ky aktivitet ka për qëllim që të ngrisin zërin që për krimet e kryera në Kosovë askush nuk është gjykuar dhe dënuar.

Për këtë kryetarja e të rinjve të AAK-së, Diellza Hoti fajësoi neglizhencën politike për siç tha ajo “18 vjet pasluftës ende duhet të mirren më këtë çështje, në vend që kjo të ishte bërë më moti”.

Hoti tha se nuk do ta  pranojnë që  fajin e krimeve të cilat i ka bërë Serbia t’i merr  populli i Kosovës e as UÇK-ja.

 

“Është e dhimbshme që tetëmbëdhjetë vite pas luftës duhet të merremi ende me këtë çështje kur kjo ishte dashtë me u përfunduar moti, por për shkak të neglizhencës të faktorit tonë politik ne duhet ta ngrisim si të rinj  këtë çështje, sepse është mjaft shqetësuese kur e shohim që Qeveria jonë, organet e drejtësisë kompetente qëndrojnë totalisht neglizhente dhe thuajse janë komod me çështjen destruktive, përçarëse dhe armiqësore që e ka pas gjithmonë Serbia dhe vazhdon ta ketë ndaj nesh…E dimë se sa thellë ka shku Serbia me deklaratat dhe me veprime jo njerëzore, ku është edhe rasti ‘Panda’   ku i kanë vra vet bashkombësit e tyre edhe i kanë fajësuar thuajse janë viktima të shqiptarëve… Duhet ta theksojmë se ne nuk pranojmë fajin e krimeve që i ka bërë Serbia me marrë as populli i Kosovës as Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po duhet ta marrin ata ve t për shkak se faji dhe përgjegjësia b ie mbi supet e tyre…’’, tha Hoti.

Duke folur në këtë aktivitet kryetari i Aleancës së të Rinjve të Prishtinës, Florent Smajlaj e cilësoi si të padrejtë arrestimin e Ramush Haradinajt duke e marrë parasysh se ai u shpall dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.

Kryetarja e të rinjve të AAK-së tha se aktivitete të tilla do të mbajnë edhe në ditët në vazhdim.

…………………………………………

Njohja reciproke, faza e fundit e dialogut me Serbinë

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 16:51 | KOSOVAPRESS

Dialogu me Serbinë po hyn në fazën përfundimtare, ku temë kryesore e kësaj faze pritet të jetë njohja reciproke mes dy vendeve. Kështu ka bërë të ditur ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Kryenegeciatorja Tahiri paraqiti të arriturat e dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se pavarësisht agresionit dhe gjenocidit që ka bërë Serbia ndaj popullit të Kosovës, udhëheqja e shtetit vendosi të hyjë në një proces paqësor, i cili sipas saj, synon që në fund të rrumbullakësohet me njohje reciproke mes dy shteteve.

 

“Në këtë fazë të dialogut kanë mbetur tri marrëveshje të pazbatuara, është marrëveshja për drejtësi, ajo për energjinë dhe ajo për Asociacionin, i cili do të jetë në pajtim me vendimin e gjykatës kushtetuese dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe më pas ky dialog duhet të hyj në fazën përfundimtare. Në fazën finale temat janë njohja reciproke e pavarësisë së dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, temat e reperacionit të luftës, në krye agjendë kemi temën e të pagjeturve, pastaj pasojat tjera të luftës që Serbia duhet t’i kompensoj, pensionet, depozitat bankare, dëmet kulturore, fetare”, tha Tahiri.

Por, deputetët opozitar fajësuan kryenegociatoren Tahiri për mosarritje të rezultateve nga dialogu me Serbinë, as në shtrirjen e sovranitetit në veri, e as në arenën ndërkombëtare.

Deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha tha se siguria në Kosovë kërcënohet vazhdimisht dhe zhvillimet e fundit tregojnë për funksionalitetin e shtetit të Kosovës në veri.

 

“Siguria e vendit kërcënohet vazhdimisht. Jemi dëshmitar se mbrëmë është djegur një objekt, është gjuajtur me bombë objekti i Qeverisë së Kosovës, janë shkatërruar lokalet ku ministrja ka pirë kafe në atë pjesë dhe tregon se sovraniteti i vendit kërcënohet çdo ditë. Por ju me një moment thatë që janë shuar strukturat paralele ndërsa me një moment tjetër thatë që Serbia po i mban disa struktura do të thotë nuk janë shuar”, theksoi Berisha.

Më i ashpër në kritika ishte deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili fajësoi institucionet se nuk kanë bërë asgjë, madje, as mbrojtjen e qytetarëve të vet nga ndalimi në bazë të fletarresteve të Serbisë.

 

“Ju thatë që e kemi forcuar shtetin e Kosovës, është me të ardhur keq që shteti i Kosovës, apo shtetit të Kosovës po i ndalohen qytetarët që trajtohen nga Serbia, në këtë rast Haradinaj ndalohet në Francë me fletarreste të Serbisë që është ndërhyrje brenda shtetit të Kosovës dhe kjo është e patolerueshme dhe nuk di si mund të thoni se kemi forcuar shtetin kur nuk jemi në gjendje t’i mbrojmë qytetarët tanë”, theksoi Lekaj.

Në fund të raportimit, ministrja Edita Tahiri iu përgjigj deputetëve të opozitës. Tha se në rastin e Haradinajt, Serbia ka bërë abuzim të interpretimit të juridiksionit të krimeve të luftës pas përfundimit të mandatit të Hagës dhe në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare tenton të bëjë fletarreste për qytetarët e shteteve tjera.

…………………………………………………………

Hoxhaj: Jam i shqetësuar me rritjen e potencialit ushtarak të Serbisë

E MËRKURË, 08 SHKURT 2017 18:43 | KOSOVAPRESS

Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme pas provokimeve të fundit që kanë ardhur nga Serbia në drejtim të Kosovës, shprehu një shqetësim tjetër në lidhje me veprimet e këtij shteti.

Ai u shpreh i shqetësuar në lidhje me rritjen e potencialit ushtarak dhe armatimit të Serbisë, që ka ndodhur kohëve të fundit.

 

“Një shqetësim bazik që unë e kam, që mund ta ndaj me ju në baza të përgjithshme, por jam i gatshëm me të tjerë kolegë nga fusha e sigurisë të ulemi dhe t’ju informojmë në detaje pa kamera. Ka një tendencë permanentë të rritjes së potencialit ushtarak të Serbisë. Dhe ju nëse e shihni se cilin vend e ka vizituar kryeministri Vuçiq, vetëm në janar dhe dhjetor të vitit të kaluar, për çfarë marrëveshje që bëhet fjalë që kanë nënshkruar. Sa “Miga” janë blerë dhe sa raketa të tjera janë blerë. Mund t’ju them me përgjegjësinë më të madhe që balanci rajonal nuk është i njëjti çfarë ka qenë para tre muajsh, dhe kjo për neve është shqetësim”, tha  ministri Hoxhaj.

Ai  para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, lidhur me raportet Kosovë – Serbi, tha se pas shpalljes së Pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Serbia e ndjek një politike armiqësore dhe ka një qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovë.

 

“Për neve si Qeveri e Kosovës ka një kontinuitet të politikes serbe agresive në raport me shtetin tonë. Nëse deri në qershori të vitit 1999 Serbia ka ndjekur politika armiqësore ndaj çdo qytetari dhe popullit të Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë në shkurt të vitit 2008 Serbia e ndjek një politikë armiqësore dhe ka një qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. Nëse ne e bëjmë një hierarki, nëse ne i vendosim kërcënimet e Kosovës në një lloj hierarkie, kërcënues kryesor i shtetit të Kosovës mbetet edhe më tutje Republika e Serbisë, të cilën duhet ta marrim seriozisht, nuk duhet t’i ngatërrojmë nga një herë këto kërcënime të brendshme. Por, ky është një kërcënues i shtetit të Kosovës, i stabilitetit të Kosovës dhe i paqes në rajon, me një plan afatgjatë”, tha ministri Hoxhaj.

Ai tha se projekti për “Luginën e Diellit” është platformë nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, në këtë platformë po ashtu përmendet edhe një qasje e re ku Serbia kërkon dialog jo me Prishtinën, por kërkon dialog me shqiptarët, që sipas Hoxhajt, është një gjuhë, e cila ka qenë shpeshherë në vitet e ’90-ta.

…………………………………………………………………

23 milionë euro investime në bujqësi, fermerët e pakënaqur

E ENJTE, 09 SHKURT 2017 17:11 | KOSOVAPRESS

Ministria e Bujqësisë ka prezantuar sot programin për investime në bujqësi për këtë vit.

Në prezantimin të cilin e bëri ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi pati edhe shumë pakënaqësi nga fermerët të cilët ishin prezent në këtë prezantim.

Investimet e ministrisë përmes këtij programi, për të cilin këtë vit janë planifikuar 23 milionë euro, çdo të orientohen në të gjithë nën-sektorët e bujqësisë.

Shumica e fermerëve u ankuan se përballen me makineri dhe pajisje teknologjike të vjetruara.

Kështu për këtë arsye   atyre iu pamundësohet aplikimi  për të kultivuar kultura të ndryshme bujqësore pasi që kanë mungesa të sistemeve moderne.

Ata po ashtu janë ankuar edhe se nuk po iu kompensohen dëmet nga fatkeqësitë natyrore.

Njëri nga fermerët është ankuar në lidhje me zvogëlimin e përqindjes së traktorëve pasi që sipas tij traktori është “baba i bujqësisë”.

 

“Sa keni mujt me menaxhu mekanizimin bujqësor që kanë menaxhu fermerët dhe pse mu zvogëlua përqindja e traktorëve 20 përqind. Kur e dimë që traktori është ‘baba’ i bujqësisë, nuk duhen pajisjet tjera pa të”, tha fermeri nga Podujeva.

Ministri Memli Krasniqi duke folur në këtë prezantim tha se  sektori i bujqësisë ka shënuar rritje.  Ai u zotua se do të ketë investime në modernizim të makinerisë dhe pajisjeve teknike.

 

“Struktura e vogël e pronës bujqësore sfidon menaxhimin efikas të fermës, prandaj programi për zhvillim rural 2017 fokusohet në investime që mbështesin prodhimtari bujqësore të orientuar kah tregu dhe fermat që janë ekonomikisht të qëndrueshme dhe me potencial për të furnizuar tregun vendor, për të zëvendësuar importet e larta dhe potencialisht për eksport në rajon dhe në tregun e Bashkimit Evropian. Pra, synimi ynë mbetet që të shtohen sipërfaqet e tokës së punuar duke rritur edhe prodhimtarinë por edhe produktivitetin. Një fakt tjetër është se shumica e fermave përballen me makineri dhe pajisje teknologjike të vjetruara duke iu pamundësuar fermerëve që të aplikojnë sistemet moderne të menaxhimit të fermës për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore apo rritjen dhe mbarështimin e kafshëve. Prandaj, në programin për zhvillim rural 2017 prioritet i lartë i është dhënë investimeve në modernizimin e makinerisë dhe pajisjeve teknike, por po ashtu edhe në modernizimin e ndërtesave dhe objekteve si dhe depove për ruajte dhe paketim me qëllim të rritjes së efikasiteatit dhe arritjet së standardeve ndërkombëtare”, tha Krasniqi.

Njëri nga fermerët është ankuar po ashtu në lidhje me dëmet që iu shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore. Fermeri ka pyetur konkretisht  zyrtarët e Ministrisë se a është ndarë ndonjë fond në lidhje me dëmet nga ngricat e pranverës në sipërfaqe të pemëve.

Këtij fermeri i është përgjigjur Shqipe Dema duke thënë se ministria ka ndarë mjete për dëmet nga fatkeqësitë natyrore por që ato janë keqpërdorur nga komunat.

 

“ Edhe këtë vit e kemi fondin e paraparë për fatkeqësi natyrore. Ju e keni parë vendimin e qeverisë që së bashku me ministrinë e Bujqësisë, komunave ju është ndarë buxheti sipas kërkesave, ndërsa ne kemi informacione që komunat kanë filluar ti shfrytëzojnë ato për qëllime tjera”, tha  Dema.

Fermeri Adem Sylejmani  kërkoi zgjidhje për  fidanët e mbetur nëpër toka si rezultat i importeve nga jashtë.

 

“Ne jemi prodhues të fidanëve, a ka mundësi me na përkrah. Se me ketë 5 përqindëshin qe e keni bërë me importuar fidane prej jashtë, neve na ka mbet krejt prodhimi në ara. Problemi është se unë i kam importu fidanët një vit më herët, nga Gjermania për t’u zhvilluar në tokën time dhe tash dokumentet nuk pranohen. Ne jemi së paku 50 fermeri, 2 milionë fidanë janë në Kosovë, ne i kemi nëpër ara”, tha Sylejmani.

Ministri Krasniqi tha se synimi është që të shtohen sipërfaqet e tokës së punuar në mënyrë që të rritet produktiviteti.

Kjo në mënyrë që të  zëvendësohen importet e larta dhe për të krijuar mundësi të eksportit në rajon.

Ndryshe, në programin e sivjetshëm për zhvillimin rural, përmes granteve investive do të përkrahet Masa 101 ku hyjnë investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore. Pastaj masa 103, ku hyjnë investimet në asetet fizike në përpunimin dhe  tregtimin e produkteve bujqësore, masa 302 për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe masa për ujitjen e tokave bujqësore.

Thirrjet për aplikim për grante në këto fusha janë shpallur dhe afati i aplikimit është nga data 6 shkurt deri më 20 mars të këtij viti. Të gjitha dokumentet përcjellëse, programi, udhëzuesit dhe dokumentet e tjera mund të merren në uebfaqet e MBPZHR-së dhe AZHB-së.

……………………………….

Aida Dërguti kërkoi nga ITU të mos ia jap Kosovës kodin telefonik

E ENJTE, 09 SHKURT 2017 17:19 | KOSOVAPRESS

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka thënë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se një deputet i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga ITU që mos t’ia jap Kosovës kodin telefonik.

Për këtë ajo tha se ka edhe dokument që e vërteton.

“Me llogon zyrtarë të Kuvendit të Kosovës ju kanë drejtuar ITU-së duke thënë që Kosovës të mos ia jep kodin. Nëse nuk e keni ditë ua solla dokumentin, pra në emër të Kuvendit të Kosovës, një deputet nga radhët e Vetëvendosjes ka shkruajtur letër dhe ITU-së i kërkon që të mos ja jep Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Edhe pse Tahiri nuk përmendi Emra, ishte Aida Dërguti nga Vetëvendosje, ajo që reagoi.

 

“Ajo që tentoni ju të më citoni mua lidhur me letrën drejtuar ITU-së nuk qëndron. Tani do të ua sjellë sepse unë për hir të transparencës e kam përkthyer edhe në shqip dhe e kam lexuar në seancë të Kuvendit. Tani do të ua sjell edhe njëherë sepse nuk është e vërtetë nuk qëndron ajo cka thatë ju lidhur me marrëveshjen për ITU-në”, ka thënë ajo.

E menjëhershme ishte ministrja Tahiri e cila i tha Dërgutit se ka shkelur rregulloren duke dërguar letër si nënkryetare, pa miratimin e Kryesisë së Kuvendit.

 

“Në fakt unë nuk përmenda asnjë emër por ju vetë u zbuluat, sepse vet e keni dërguar letrën, unë me të vërtetë nuk thash emër, unë thash një deputet ju vetë u zbuluat. Z. Dërguti në internet e gjeni unë e kam gjithkush mund ta gjej në internet. Aida shiko edhe ke keqpërdor Kuvendin se e ke nënshkruar si nënkryetare e Kuvendit, nuk ke guxuar sepse kjo u deshtë të bëhet me miratimin e kryesisë, ke shkel rregulloren z.Dërguti”, tha ajo.

Ndërkohë, ministri i Punës, Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, është pyetur për komisionin mjekësor lidhur me invalidët e luftës, i cili nuk është funksional tash e 6 vite.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka ngritur si shqetësim çështjen e familjeve të dëshmorëve që kanë nga dy dëshmor dhe marrin vetëm një pension.

Gjatë kësaj seance pyetje pati edhe në drejtim të ministrit të Shëndetësisë, Imri Rrahmani./KosovaPress/

………………………………………………….

Kuvendi ndërpret punimet, solidarizohet me Haradinajn

E ENJTE, 09 SHKURT 2017 17:43 | KOSOVAPRESS

Projektrezoluta e propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, pas debatit për gjendjen e krijuar në Mitrovicë nuk ka arritur që të votohet sot.

Kjo pasi, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, kërkoi ndërprerjen e seancës plenare, si shenjë proteste ndaj shtyrjes së vendimit për liderin e kësaj partie Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.

Mirëpo, interpelanca e kryeministrit Isa Mustafa e thirrur nga deputeti Rexhep Selimi rreth gjendjes në Mitrovicë pas ngjarjeve të fundit ngjalli reagime të ashpra mes pozitës dhe opozitës.

Opozita akuzoi pushtetin se po zhvillon dialog me Serbinë, pavarësisht se ky proces po shkon në dëm të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, duke arsyetuar thirrjen e kryeministrit në interpelancë rreth ngjarjeve të fundit në Mitrovicë, tha se kryeministri duhet të shpjegoj se pse u ndal treni që u nis nga Beogradi, e nuk po ndalet treni që vjen nga Kraleva.

 

“Pas krejt kësaj situate të krijuar, as treni s’u ndal as muri s’u rrënua. Në  të vërtetë treni u ndal, por s’u ndal treni i Kralevës, që i bie se treni ende qarkullon Serbi-Kosovë pa licencën e institucioneve të Kosovës. Në anën tjetër u rrënua një mur por filloj një tjetër pran tij, e siç po shihet edhe muri që u rrënua edhe ai që po ndërtohet kanë të njëjtin qëllim, të jenë barrikadë për qarkullim kundrejt anës jugore të lumit Ibër”, tha Selimi.

Deputeti i VV-së, shkoi edhe më lart, duke e quajtur skenar të dy Qeverive, Kosovës dhe Serbisë murin dhe trenin me ikonografi që ishte dhuratë nga Rusia.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka quajtur interes për Kosovën zhvillimin i dialogut, sepse problemet e trashëguara që prej pasluftës e edhe tani që po ndodhin, nuk kanë alternativë tjetër pos zgjidhjes me dialog.

 

“Gati të gjitha interpelancat por edhe debatet e iniciuara në Kuvend kanë një emërues të përbashkët, ndërprerja e dialogut, kushtëzimi, ngrirja e dialogut. Dialogu në mbështetje të BE-së dhe SHBA-së zhvillohet me interes të republikës së Kosovës. Sepse Kosova po ballafaqohet me probleme si pasoj që nga përfundimi i luftës që nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes pos dialogut. Me dialog nuk po zgjidhim problemet e Serbisë, sepse ne nuk po ndërhyjmë në sovranitetin e Serbisë, por po ndodhë e kundërta. Si kryeministër konsideroj se dialogu nuk ka alternativë”, tha Mustafa.

Mustafa nuk e ka harruar edhe kohën e bllokut opozitar kur ishin bërë bashkë katër partitë LDK-VV-AAK-Nisma, pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, kur Vetëvendosja kishte insistuar ta merrte udhëheqjen e dialogut.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se ajo që ka qenë një lloj cenimi i sovranitetit siç ishte muri, ka kaluar.

 

“Ajo çka është më me rëndësi, se në Mitrovicë ka fituar ligji, kanë fituar institucionet, nuk kemi shkuar me të mundshëm, kanë fituar edhe qytetarët serbë të pjesës veriore. Do të ishte e dëmshme, me së shumti për ta dhe institucionet e venit kanë qenë të vendosura që të shkojnë deri në fund për vendosjen e ligjshmërisë por asnjëherë manipulimeve që u mundua Beogradi t’i trumbetoj përmes mediave të tyre që ti frikësoj qytetarët tanë nën presionin psikologjik se Kosova do të cenoj jetën e qytetarëve, kurrë, asnjëherë, ky është edhe mesazh i cili nga institucionet e Kosovës, nuk do ta cenojmë asnjë qyteta  të Republikës përveç ruajtjes së sovranitetit të Kosovës”, tha Veseli.

Ai tha se Serbia po mundohet që përmes mediave të saj t’i frikësojë qytetarët serbë në Kosovë, se nëse shqiptarët kalojnë në veri do t’i dëbojnë nga Kosova.

Por sipas tij, Kosova nuk do të cenojë asnjë qytetar të saj, as serb, as komunitetet tjera.

Ndërsa, duke iu përgjigjur kritikave të Albin Kurtit për ndaljen e qytetarëve për të dal në veri të Mitrovicës, Veseli tha se sot nëse ndonjë deputet i Kuvendit dëshiron të shkoj atje nuk do ta ndal.

Në përkrahje të zhvillimit të dialogut ishin dy partitë në pushtet. Shefi i deputetëve të PDK-së Zenun Pajaziti duke mbështetur kryeministrin, tha se vetëm me dialog zgjidhen të gjitha pengesat që mund të dalin para në rrugën integruese.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka mbështetur vazhdimin e dialogut, meqë sipas tij, edhe pse jo në përmasa që dëshirojnë, dialogu i deritashëm ka dhënë rezultate.

Derisa, themelimin e Asociacionit e ka quajtur obligim institucional, por që nuk ka asnjë lidhje me murin të cilin e rrëzuan ata që e ndërtuan.

Por, opozita ishte e ashpër ndaj pushtetit, duke ia përmendur dështimet në dialogun e zhvilluar deri tani.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti, Mitrovicën e ka ndarë ura e Ibrit, e jo muri, siç e ka quajtur ai, i vënë si perde.

 

“Qyteti i Mitrovicës është i ndarë me urën e Ibrit dhe jo me mure që vihen si perde. Ajo çka po etablohet me çështjen e murit është se gjërat as nuk munden as nuk duhet të bëhen pa Serbinë dhe pa strukturat e saj. Serbia e bënë gjendjen në veri edhe më keq se që është në mënyrë nëse bëhet sa më keq bëhet pak më mirë atëherë të duket gjithçka mirë dhe e keqja e madhe të normalizohet”, tha Kurti.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj ka numëruar një mori faktesh që sipas tij, bëjnë që dialogu të jetë i dështuar.

Ndërsa, në emër të Nismës për Kosovën, deputeti Zafir Berisha, ka deklaruar se kryeministri është duke e keqpërdorur qëndrimin e opozitës për dialogun me Serbinë.

Berisha tha se janë për dialog me kushte dhe në të mirë të Kosovës e jo të një dialogu në dëm të Kosovës. Sipas tij, Asociacioni i Komunave Serbe është kulmi i asaj që kjo Qeveri po do të bëjë në Kosovë.

……………………………………………………………

Vetëm 4 përqind e grave trashëgojnë pronë

E PREMTE, 10 SHKURT 2017 13:56 | KOSOVAPRESS

Realizimi i të drejtës pronësore në Kosovë ende mbetet problem për gjininë femërore. Vetëm 4 përqind e grave trashëgojnë pronë, derisa më pak se 18 përqind e tyre kanë pronë mbi vete.

Këto statistika kanë dal nga  lansimi i Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Kosovë, e cila ka për qëllim të ofrojë vizionin strategjik për sigurimin e të drejtave pronësore.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Greg Delaëie tha se tha se përparimi në rritjen e të drejtës pronësore është i domosdoshëm.  Ai shtoi se numri i grave që trashëgojnë pronë është shumë i vogël.

 

“Shpeshherë, qytetarët nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre, e sidomos në rastet kur familjet janë të shpërngulura.  Dhe sigurisht që kjo ka një ndikim të tepruar te gratë të cilat, janë të detyruara të përballen jo vetëm me ligjin e njëjtë qeverisës si gjithë të tjerët por edhe më atë shoqëror. Mendoj se të gjithë ne i dimë përmendësh statistikat ku vetëm 4 përqind e grave në Kosovë kanë mundësinë të trashëgojnë pronë dhe vetëm 19 përqind të kenë pronat e tyre.  Jemi familjarizuar me praktikat që ua ndalojnë  shumë grave të trashëgojnë, të kenë  ose të regjistrojnë pronat”, tha Delaëie.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryesues i komisionit për zbatimin e strategjisë, Hajredin Kuçi, tha se është hera e parë që shumë konkretisht merren me të drejtat e qytetarëve.

Ai tha se ka ardhur koha që Kosova ta prekë të drejtën e qytetarit dhe qytetari ta prek të drejtën e shtetit.

 

“Në Kosovë 3.8 apo më pak se katër përqind të femrave trashëgojnë e më pak se 18 përqind kanë pronë në vete dhe unë mendoj që është pak. 50 përqind e gjeneratës sonë, e njerëzve që jetojnë sot, gjinia femërore nuk kanë pronë dhe kjo i bie që janë të përjashtuar nga zhvillimi ekonomik por edhe pabarazi për atë”, theksoi Kuçi.

Ai tha se nuk mjafton që të ketë vetëm një strategji të mirë, por duhet të zbatohet dhe implementohet ajo.

Strategjia përmban pesë objektiva, përmes së cilës synon që ta udhëheq Qeverinë në përpjekje për sigurimin e të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Objektivat e kësaj strategjie janë, Sigurimi i të drejtave pronësore përmes fuqizimit të infrastrukturës ligjore, sigurimi i të drejtave pronësore përmes adresimit të informalitetit, garantimi dhe realizimi i të drejtave pronësore por personat e zhvendosur dhe komuniteteve jo shumicë, garantimi dhe zbatimi i të drejtave pronësore të gratë dhe përdorimi i të drejtave pronësore të sigurta për nxitjen e rritjes ekonomike.

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, tha se pikërisht mungesa e zbatimit të tyre ka ndikuar në dobësimin e të drejtave pronësore.

Ajo shtoi se për një shoqëri të lirë, të zhvilluar dhe demokratike e drejta në pronë është një nga të drejtat themelore të njeriut.

Procesin e hartimit të strategjisë e ka udhëhequr Ministria e Drejtësisë, e mbështetur nga programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore.

………………………………………………………………………………

Vrasësit e Arbenit dhe Monit as pas një dekade nuk dalin para drejtësisë

E PREMTE, 10 SHKURT 2017 14:26 | KOSOVAPRESS

Sa herë vjen data 10 e muajit shkurt Arlinda Xheladini bashkë me djalin e vetëm niset drejt varrezave në Dragodan. Me buqetë lulesh Arlinda me të birin përveq varrezave cak e ka edhe sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, aty ku më 10 shkurt të vitit 2007 u vra bashkëshorti i saj Arben Xheladini.

30 vjeçari nga Prishtina është vrarë nga policia rumune e UNMIK-ut ditën kur në Prishtinë po bëhej një demonstratë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kundërshtim të Pakos së Ahtisarit.

Bashkë me Arbenin u vra edhe i riu nga Podujeva, Mon Balaj si dhe u plagosën rreth 80 persona tjerë.

Askush nuk u dënua për vrasjen e Arbenit dhe Monit ndonëse u vërtetua se plumbat e gomës që përdorën policët rumunë të UNMIK-ut u kishte skaduar afati.

Kontingjenti i policëve rumunë u kthye në atdheun e tyre pa u ndëshkuar pasi në Kosovë gëzonin imunitet.

Arlinda Xheladini tha se për ta zbardhur vrasjen e Arbenit dhe Monit kanë angazhuar  avokatë edhe nga Anglia, por që nuk po arrihet që drejtësia të vihet në vend.

Sipas saj, tragjedia e 10 shkurtit e vitit 2007 bashkoi dy familjet që humbën më të dashurit e tyre.

 

“Pas 10 vjetëve kurrgjë nuk është bërë, kurrgjë, ne si familje jemi munduar por si individë nuk mundemi për shkak se ata që e kanë kryer këtë punë, ata veç kanë imunitet kështu që ne s’kemi mundur kurrgjë t’ju bëjmë. Kurrgjë nuk është arritur edhe pse jemi munduar edhe pse kanë ardhur avokat prej Anglisë për të drejtat e njeriut edhe ata janë munduar por nuk kanë arritur se s’ka kurrgjë prej këtij procesi. Qe 10 vjet ne po presim drejtësi por drejtësia nuk është askund. Ky fat na ka bashkuar dy familje që nuk jemi njohur asnjëherë, Arbeni ka qenë neutral, Arbenit nuk i ka pëlqyer si shumicës së shqiptarëve nuk i ka pëlqyer situata që ka qenë para 10 vjetëve edhe për ata ka dal se ka qenë i pakënaqur si shumica e popullit që ka dal atë ditë edhe ai ka qenë i pakënaqur me situatën që ka mbretëruar në Kosovë”, tha Arlinda Xheladini.

Për të nderuar Arbenin dhe Monin përveç familjeve   Xheladini dhe Balaj kanë dalë edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata vendosën lule pranë pllakës përkujtimore që u ngrit për nder të rënies së Arbenit dhe Monit.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se protesta e 10 shkurtit të vitit 2007 u organizua për të kundërshtuar planin e Ahtisarit, plan ky i cili sipas tij do të bënte ndarje etnike dhe pamundësonte shtetësinë e vërtetë të Kosovës.

Ai theksoi se ajo protestë përballi dy palë, palën e njerëzve që dëshironin të kenë një komb dhe liri të plotë dhe palën e makinerisë së pushtetit që shtypi këta njerëz me një dhunë të paparë.

Ndër tjerash, Konjufca kujtoi çastet që shënuan edhe vdekjen e këtyre dy njerëzve, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si pasojë e policëve të armatosur të UNMIK-ut. Ai cilësoi sjelljen e politikanëve të asaj kohe si të pandershme sepse sipas tij, në vend që të mbronte popullin e vet, ata dolën në mbrojtje të dhunës së egër të policisë së UNMIK-ut.

 

“Policët e armatosur deri në dhëmbë të UNMIK-ut nga Ukraina, Polonia dhe Rumania, njësitet e të cilëve jo vetëm që bartnin armatim por edhe kishin lënë në tokë shumë prej armatimit të tyre dhe në momentin që ne nuk është se donim tjetër gjë përveç se të vazhdonim protestën sepse ishim bllokuar pikërisht nja 40 metra prej ku po flasim këtu, në momentin që kemi bërë përpara ata nuk kanë kursyer të gjithë armatimin e tyre dhe me armë të zjarrit të drejtuara drejt trupave të qytetarëve dhe aktivistëve të paarmatosur filluan të qëllojnë me breshëri dhe në të gjitha anët, pak momente pas fillimit të kësaj dhune dhe brutaliteti të paparë, humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj, për të cilët jemi mbledhur këtu për t’i nderuar dhe për t’i kujtuar. Pushteti politik në Kosovë atëherë në vend se të pozicionohej në krah të popullit të vet që kërkonte atë që është e nevojshme për kombin tonë , ata a të ditë u fshehën gjysma, kurse gjysma tjetër dolën në mbrojtje të kësaj dhune të egër të policisë së UNMIK-ut, ne nuk e harrojmë sjelljen e pandershme të këtyre politikanëve”, tha Konjufca.

Në 10 vjetorin e rënies  janë bërë homazhe edhe tek varrezat e Arbenit dhe Monit, në Prishtinë përkatësisht në Podujevë, ndërsa për nder të 10 vjetorit të demonstratës së shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një ekspozitë me fotografi nga dita e demonstratës si dhe do të mbajë një tribunë ku do të mbajnë fjalime Albin Kurti dhe Visar Ymeri.

…………………………………………………

Kurti: Protestuam për gjashtë padrejtësisë themelore të planit të Ahtisarit

E PREMTE, 10 SHKURT 2017 16:53 | KOSOVAPRESS

Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot tribunë me temën “Plani i Ahtisarit dhe tezat e Vetëvendosjes”, ku drejtues të kësaj partie opozitare numëruan padrejtësitë që iu bënë shtetit të Kosovës me Pakon Ahtisari.  Ata kërkuan që të ndërrohet edhe Kushtetuta e Kosovës.

Tribuna është mbajtur në 10 vjetorin e protestës  ku humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Deputeti Albin Kurti duke folur për mangësitë e Pakos së Marti Ahtisartit, tha se u krijua një fiksim me Pavarësinë si fjalë, shtetin pa e konsideruar në përmbajtjen e saj.

 

“Gjashtë padrejtësitë themelore që ne i kemi identifikuar atëherë. Dhe e cila parqet thelbin e kritikës dhe kundërshtimit tonë që merr shprehjen më të mirë në demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007. Padrejtësia e parë është privilegjet për pakicën serbe për shkak se kështu kërkonte Serbia, e dyta është trashëgimia kulturore me 45 zona eksterritoriale  me gjithsej qindra hektarëshe dhe e  cila serbizonte dhe fetarizonte kulturën te ne. E treta është decentralizmi që përmban tri të katërtat e Pakos së Ahtisartit… Padrejtësia e katërt është betonimi i sundimit ndërkombëtar, padrejtësia e pestë është pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, ndërkohë që ne nuk kemi marr pjesë në suksesionin e Jugosllavisë… Dhe krejt në fund është çështja e shuarjes së TMK-së, në vend se të çarmatoset ushtria jugosllave u çarmatos UÇK-ja”, tha Kurti.

Në këtë tribunë me simpatizantët dhe aktivistët e Lëvizjes kryetari Visar Ymeri, tha se me Pakon e Ahtisarit kompetencat për sovranitetin e Kosovës mbeten në duar të të huajve dhe Kosova mbeti pa sovranitet, pa demokraci, pa drejtësi, në varfëri, pa shkolla pa punë dhe pa ushtri.

………………………………………..

Veseli: Nuk do të lejojmë mure të ndarjes as cenim të sovranitetit

E PREMTE, 10 SHKURT 2017 17:08 | KOSOVAPRESS

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, nga ku kreu i saj Kadri Veseli dërgoj mesazhe për opozitën se nuk mbrohet shteti duke penguar përcaktimin e kufijve, duke mos njohur simbolet dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në adresimin e tij para anëtarëve të Këshillit Drejtues  Veseli tha se imponimi i frymës së konfliktit politik, ikja nga domosdoshmëria e konsensusit për interesat vitale të shtetit, kanë pasur vetëm pasoja negative për vendin dhe qytetarët.

Sipas tij, me debate dhe agjenda shterpe, të motivuara nga interesa meskine politike, janë lënë anash qytetarët dhe shqetësimet e tyre reale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e familjeve të tyre.

 

“Fatkeqësisht, disa nga forcat politike opozitare kanë zgjedhur rrugën e gabuar në bërjen e opozitarizimit, duke tentuar të bllokojnë proceset politike të shtetit për përfitime politike. Situata politike shpeshherë, në realitetin tonë politik aktual po bëhet e komplikuar, brenda cinizmit të kësaj tentative, duke u thirrur edhe në mbrojtjen e shtetit apo sovranitetit të tij. Kjo është jo vetëm e papranueshme, si sjellje dhe mentalitet, por është e dëmshme pikërisht për shtetin dhe kombin tonë.  Shteti nuk mbrohet duke penguar proceset e tij të shtetformimit. Sovraniteti i shtetit nuk mbrohet duke penguar procesin e përcaktimit të kufijve ndërkombëtar të tij. Shteti nuk respektohet duke përçmuar simbolet dhe kushtetutën e tij”, tha Veseli.

Sipas kreut të PDK-së, as nuk liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës me sjellje të tilla politike dhe është cinizëm të mendohet të krijohet ushtria e Kosovës duke humbur besimin e partnerëve ndërkombëtarë si  NATO-ja, SHBA-të  dhe vendet  tjera perëndimore me qëndrime dhe imponime politike vetëm për konsum elektoral.

Veseli shtoi se PDK-ja ka shmangur më të keqën, dhunën, në favor në rrugës së arsyes.

Ai deklaroi se kanë ruajtur institucionet, rendin demokratik, partneritetin dhe obligimet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, në radhë të parë ato që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asoocim.

Por, është shprehur se nuk do të lejojnë që mbi shtetin e Kosovës të vihen pikëpyetje ekzistenciale nga askush, as nga ata që nisin trena të urrejtjes. Veseli tha se nuk do të tolerojnë hyrje të paligjshme në territorin e Kosovës.

 

“Nuk do të lejojmë që mbi shtetin e Kosovës të vendosen pikëpyetje ekzistenciale dhe gjeopolitike. Në asnjë rrethanë dhe nga askush. As nga ata që nisin trena të urrejtjeve të vjetra apo ndërtojnë mure të ndarjes. Unë kam pasur qëndrim të qartë ndaj provokimeve të Serbisë dhe kam qenë i vendosur në hapat e ndërmarr, si në ndalimin e trenit të paligjshëm, ashtu dhe rrënimin e murit në veri të Ibrit në Mitrovicë. Nuk do të tolerojmë hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës. As mure të ndarjes në Mitrovicë apo gjetiu”, tha Veseli.

Sipas tij, shembja e murit në Mitrovicë është fitore e ligjit, fitore e Kosovës, fitore e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve pa dallim. Sipas Veselit, jeta me mure është e zymtë, derisa është shprehur i bindur se kjo nuk është dëshirë dhe vullnet i qytetarëve serbë të veriut të Kosovës.

Kreu i PDK-së, nuk la pa përmendur as luftën e UÇK-së, për të cilën tha se e  kanë  udhëhequr luftën çlirimtare, ndërsa si forcë kryesore politike në vend kanë qenë pjesë e rindërtimit të vendit, shpalljes së pavarësisë dhe shtetformimit.

Veseli kërkoi nga anëtarësia angazhim maksimal pasi shumë shpejt do të mbajnë një konventë të PDK-së, derisa këtë vit mbahen zgjedhjet lokale, për të cilat tha se duhet të fitoj PDK-ja, pasi është e vetmja forcë politike garancë për qytetarët.  Konventa e PDK-së, pritet të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti./KosovaPress/