Rajon & Botë

Izraeli e kërcënon me luftë Zelandën e Re

Kryeminsitri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë sot ministrit të Jashtëm të Zelandës së Re se përkrahja e rezolutës së OKB-së kundër Izraelit nga ana e vendit të tij, do të thotë “deklarim lufte”.

 

Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë e cila i dënon ndërtimet e vendbanimeve izraelite në tokën e okupuar në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, si dhe i cilëson ato si shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare dhe i kërkon Izraelit që menjëherë dhe plotësisht t’i ndalojë të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me ndërtimet e vendbanimeve në tokën e okupuar palestineze, transmeton Express.

Sipas Haaretz, Netanyahu i ka telefonuar ministrit të Jashtëm të Zelandës së Re, Murray McCully, dhe i ka thënë: “Ky është vendim skandaloz. Ju kërkoj që mos ta përkrahni dhe mos ta promovoni [rezolutën].”

“Nëse vazhdoni ta promovoni këtë rezolutë, atëherë ne do ta shohim si deklarim lufte. Do të ketë pasoja,” raportohet të ketë thënë Netanyahu.