Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, sot ka pritur kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Ivanovski.
Ai ka theksuar se deri më tani ka vepruar vetëm në kuadër të të drejtave, detyrimeve dhe kompetencave të tij, duke respektuar Kushtetutën e Maqedonisë.
Ivanov nënvizoi se lidhur me situatën e tanishme do të veprojë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe do të veprojë vetëm në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Takimi me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese vijon pas paralajmërimit të djeshëm se do të fillojë konsultime me institucione kompetente dhe partitë politike për formimin e Qeverisë së re.
Lideri i opozitës maqedonase, Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, gjatë ditës së djeshme deklaroi se pret që presidenti i vendit t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi që VMRO-DPMNE e cila ishte parti fituese në zgjedhjet e fundit nuk arriti marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për koalicion në përbërjen e Qeverisë së re.
Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, VMRO-DPMNE-ja arriti të fitojë 51 mandate, LSDM-ja 49, BDI-ja 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 mandate.





















