Aktuale

Ivanov: Pres zgjedhje të qeta dhe demokratike

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me të votuar në shkollën fillore “Josip Broz Tito”, në Shkup, deklaroi se pret zgjedhje të qeta dhe demokratike.

“Njëjtë sikur qytetarët e Maqedonisë, edhe unë pres që dita e sotme të kalojë në atmosferë të qetë dhe demokratike. Sonte të urojmë fituesit ndërsa humbësit të pranojnë legjitimitetin e fituesve”, deklaroi Ivanov.

Pritjet e presidentit janë që në kohë sa më të shpejtë të bëhet konstituimi i Parlamentit në mënyrë që të zgjidhet qeveria e cila do të realizojë premtimet nga fushata parazgjedhore.

“Presim dalje nga kriza dhe t’u përkushtohemi qëllimeve tona strategjike në mënyrë që të kthejmë në vendin e saj axhendën euroatlantike dhe e njëjta të jetë prioritet i shtetit”, tha Ivanov, sipas të cilit, vendi ka nevojë për institucione të cilat do të punojnë me kapacitet të plotë nga shkaku i sfidave me të cilat përballet rajoni më i gjerë.

Në zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista me 1.092 kandidatë./A.A/