Rajon & Botë

Ivanka Trump merr pjesë në samitin e grave të Berlinit

Vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Christine Lagarde do të marrin pjesë në një tryezë të rrumbullakët në kuadër të samitit “Women 20” organizuar në kuadër të presidencës gjermane të G20-s.

Në samit do të mblidhen rreth 100 të deleguar të grupit të vendeve të G20-s përfshirë dhe drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ministren e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland dhe mbretëreshën Maxima të Holandës.

Ivanka Trump do të marrë pjesë në një panel diskutimi mbi zhvillimin ekonomik dhe profesional të grave, si dhe do të vizitojë një kolegj profesional, ambasadën e SHBA-së dhe Memorialin e njohur të Berlinit kushtuar hebrenjve të vrarë të Evropës.

Aktivistët me qendër në Berlin do të zhvillojnë sot një demonstratë, jashtë muzeut Kunsthalle kundër “hipokrizisë së pjesëmarrjes së Ivanka Trump në W20”.

“Si mundet Ivanka Trump të jetë pjesë e fuqizimit të grave, ndërkohë që presidenti Trump ul fondet për shëndetin riprodhues dhe ajo hesht? ” tha Kathleen Brown, përfaqësuese e partisë së krahut të majtë të opozitës, Die Linke.