Aktuale

ITU pritet që zyrtarisht t’ia japë Kosovës në përdorim kodin ndërkombëtar telefonik +383

Unioni Ndërkombëtar për Telekomin (ITU) “shumë shpejt”, sipas BE-së, do të botojë në buletinin zyrtar vendimin për t’i dhënë Kosovës në përdorim kodin ndërkombëtar të telefonisë +383.

Pasi buletinet e tilla publikohen zakonisht me datat 1 dhe 15 të muajt, sipas të gjitha gjasave, vendimi për rastin e Kosovës do të bëhet publik këtë të mërkurë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por mbeten ende të paqarta disa karakteristika juridike të dhënies së këtij kodi për Kosovën për të cilin kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, insiston se do të jetë “kod ndërkombëtar për shtetin e Kosovës sikur për secilin shtet tjetër të botës”, e pala serbe thotë se “do të jetë kod për përdorim në një hapësirë gjeografike që është pjesë e Serbisë, sikurse Tajvani që është pjesë e Kinës”.

Ndërkohë ka njoftime të pakonfirmuara se Serbia në letrën e saj që tashmë i ka dërguar ITU-s, me të cilën ka dhënë pajtimin që për Kosovën të ndahet kodi ndërkombëtar, ka shkruar në këtë letër se ky do të jetë kod gjeografik.