Italia ka dëbuar së fundmi pesë shtetas maqedonas pasi ata kishin bërë propagandë terroriste në rrjetet sociale, duke mbështetur ekstremistët e Shtetit Islamik.
Në një komunikatë për mediat, Ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano, u shpreh se kjo praktikë përdoret për të parandaluar terrorizmin dhe ekstremizmin.
Ai shtoi se personat që promovojnë dhunën dhe organizatat terroriste përbëjnë një kërcënim kombëtar.
Alfano tha se në rrjetet sociale që menaxhoheshin nga pesë shtetasit maqedonas postoheshin vazhdimisht mesazhe pro Shtetit Islamik.
Ai nuk dha detaje për të dëbuarit, por u shpreh se dy personat që përbënin më shumë rrezik ishin dy vëllezër të moshave, 31 dhe 28 vjeçare.
Në mbyllje, zyrtari i qeverisë e konsideroi këtë operacion një tjetër sukses për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit.
Italia e ka përdorur praktikën e dëbimin shpesh përgjatë viteve të fundit. Që prej vitit 2015 e deri më tani ka pasur në total 121 persona që janë dëbuar nga vendi, 55 prej të cilëve gjatë këtij viti.
Mes tyre ka pasur edhe shtetas shqiptar, ku mund të përmendet rasti i biznesmenit shqiptar Sajmir Hidri. Edhe për këtë të fundit, autoritetet raportuan se ai kishte vizituar faqe të ndryshme në internet që menaxhoheshin nga ekstremistët e Shtetit Islamik.