Aktuale

Isufi për arrestimin e “gylenistëve”: Vartësit nuk po i informojnë shefat e tyre

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, në seancën që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, ka deklaruar se deri te një aksion i tillë ka ardhur për shkak se vartësit institucional nuk po informojnë më kohë eprorët e tyre për veprimet që priten të ndërmerren.
“Rasti i kidnapimit të gjashtë shtetasve turq e ka tronditur opinionin e Kosovës mirëpo edhe më gjerë, sepse kemi të bëjmë me një veprim antiligjor dhe antikushtetues. Vartësit nuk po i informojnë shefat e tyre të cilët obligohen në bazë të ligjeve në fuqi, dhe gjithsesi që kjo i ka dëmtuar interesat mirëpo edhe raportet tona me Turqinë”, deklaroi Isufi.

Ai shtoi se ky rast duhet të jetë paralajmërim që raste të tilla mos të përsëriten në të ardhmen, dhe personat me përgjegjësi zyrtare të veprojnë sipas ligjit, raporton lajmi.net.

“Është ky rast që duhet t’i bëjmë me dije që të gjithë ata që marrin përgjegjësi publike që të veprojnë sipas ligjit. Raportet me Turqinë do të vazhdojnë të jenë të mira edhe në të ardhmen sepse është në interes të dy popujve, mirëpo ajo që është thelbësore për Kosovën është që nuk ka shmangie nga orientimi euroatlantik”, përfundoi ai./Lajmi.net/