Pas deklaratave të Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, se Kosova nuk humb asnjë pjesë të territorit të saj, ka reaguar gjeografi Florim Isufi, i cili bashkë me gjeografin tjetër Shpejtim Bulliqi kanë qenë të zëshëm ndaj kundërshtimit të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas tyre loja me harta, sidomos me ato që tregojnë se Bjelluha, Cakorri dhe kulla e Zhlebit gjenden jashtë kufirit të Kosovës është lojë e rrezikshme, jo e ndershme dhe profesionalisht e dëmshme për Kosovën.
“Nëse dikush i dëshiron të mirën Kosovës, duhet të bëjë analiza më të thella hartografike e jo vetëm të tilla që i konvenojnë pa u lodhur fare se çfarë lloj dëmi i bënë atdheut. Ekzistojnë mijëra harta shumë më kredibile që vërtetojnë se hapësirat e lartcekura janë në kufirin Kosovë-Mali i Zi dhe se si të tilla janë legjitime dhe të përpiluara nga institucionet e formuara nga Kuvendi i Kosovës”, shkruan Isufi në Facebook.
Sipas Isufit, është për tu habitur se si merren për bazë hartat e planeve hapësinore të pas luftës të vitit 1999, e nuk merren për bazë hartat e planeve hapësinore të para vitit 1999.
“Të gjithë e dimë se hartat e planeve hapësinore të para vitit 1999 janë shumë më të kontrolluara në aspektin profesional dhe politik, sepse rrjedhin nga një sistem i cili kishte kontroll të rreptë mbi secilin aktivitet profesional dhe politik dhe se gabimet eventuale dënoheshim me burg, madje deri në 20 vite. Pse këto harta nuk merren parasysh kur dihet fakti se flasin në të mirë të territorit të Kosovës, por tentohet t’i hidhet hi syve opinionit kosovar se hartat e pas luftës të vitit 1999 janë më të sakta dhe më të mira për Kosovën, edhe kur vërtetohet se sipas tyre Kosova humb territor”, ka theksuar Isufi.
Ai pyet se pse nuk merret parasysh harta zyrtare e Qeverisë së Malit të Zi e dërguar në Adriatik Atllas, hartë kjo e dërguar zyrtarisht nga organi përgjegjës i Malit të Zi tek një projekt i bashkë financuar nga BE, dhe duke ditur vlerën e projektit nuk është lejuar gabimi eventual, e që gjithashtu flet se territoret kontestuese i takojnë Kosovës.
“Pse ne nuk i marrim parasysh të gjitha faktet që flasin në dobi të Kosovës por vetëm ato që dëmtojnë Kosovën, pse, pse, pse? A ka dikush ndonjë sqarim politik dhe profesional, apo veç për inat. Nëse është për inat, pse nuk i përmbahemi një fjale të urtë popullore që thotë “mbaj inat dhe ha, e jo mbaj inat e mos ha”. Dhe nëse me të vërtetë është ashtu, le t’i përmbahemi asaj fjale të urtë, dhe pse jo të mbajmë edhe inat mes njëri tjetrit, por gjithmonë të fitojmë atë që është më e mirë për Kosovën”, ka përfunduar Isufi.