Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha sot se Kosova do të ketë sigurim shëndetësor universal, ndërsa premtimet do të kthehen në shërbime të cilat qytetarët kosovarë duhet t’i prekin.
Ai këto komente i bëri në hapje të punëtorisë mbi rishikimin afatmesëm (RAM) të Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PSHK), që po mbahet në Prevallë.
Ismajli tha se pret që Projekti i Shëndetësisë Kosovare të forcojë kapacitetet menaxhuese në institucionet shëndetësore.
“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum, këtë Qeveri të re, e cila ka për qëllim që këto reforma t’i kthejë në realitet dhe të shohim sektorin e shëndetësisë më të organizuar, me mbështetje më të madhe politike, financiare dhe natyrisht me ngritje të kapaciteteve profesionale aty ku ka nevojë. Zotohem se mbështetja ime do të jetë e plotë dhe e fuqishme në atë që reformat të cilat kanë filluar të jetësohen”, tha ai.
Marko Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, tha se Projekti i Shëndetësisë Kosovare ka për qëllim të sigurojë përmirësimin e mbrojtjes financiare të varfërve për t’i ruajtur ata nga shpenzimet shëndetësore, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve prioritare të kujdesit për shëndetin e nënës dhe fëmijës, si dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor për mbrojtje kundër sëmundjeve ngjitëse.
Mantovanelli tha se BB do të mbështesë Qeverinë, MSh-në dhe komunitetin mjekësor në arritjen e këtyre objektivave, ndërsa theksoi faktin se reformat nuk janë askund të lehta, porse me një punë intensive, bashkëpunim të gjithë partnerëve dhe me transparencë mund të arrihen.
Ushtruesi i detyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sejdë Tolaj, ka bërë një prezantim të situatës rreth përgatitjeve për implementimin e sigurimeve shëndetësore dhe kapaciteteve që ka ndërtuar deri tash fondi.
Ai tha se fondi është një institucion që tejkalon suazat e vetëm MSh-së, andaj për fillimin e implementimit të premiumeve dhe sigurimeve, nevojitet përkrahja e Qeverisë së Kosovës, institucioneve vartëse të saj dhe komunitetit shëndetësor.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare, që është financim me huamarrje nga Banka Botërore, në vlerë prej 25.5 milionë dollarëve amerikanë, është duke e mbështetur Qeverinë e Kosovës, sipas Marrëveshjes së hyrë në fuqi më 20 maj 2015, në drejtim të përmirësimit të mbrojtjes financiare të të varfërve nga shpenzimet shëndetësore si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve prioritere të kujdesit të shëndetit të nënës dhe fëmijës si dhe të shërbimeve të sëmundjeve jo-ngjitëse.