Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë hapur sot nisjen e programit për vizita shtëpiake për nëna dhe fëmijë edhe në këtë komunë.
Drenasi bëhet komuna e 16-të në Kosovë ku fillon programi i vizitave shtëpiake për nëna dhe fëmijë prej 0 deri në 3 vjeç.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pasi uroi profesionistët shëndetësorë për nisjen e këtij programi, foli edhe për rëndësinë e tij.
“Ndihma që i ofrohet nënës dhe fëmijës përmes këtij programi është e pakrahasueshme dhe me vlerë shumë të madhe. Reforma jonë shëndetësorë ka pikërisht për qëllim që të ndikoj direktë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve, dhe ky është një ndër programet që garanton këtë”, ka thënë ministri Ismaili.
Ministri Ismaili tha se ky program do të ketë mbështetjen e duhur që të shtrihet në të gjithë Kosovën.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, përgëzoi ministrin Ismaili dhe UNICEF-in për zhvillimin e këtij programi që ndikon direktë në jetën e qytetarëve.
“Kjo është një politikë dhe një strategji, për të cilën e përgëzoj ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili është duke bërë mirë punën e vet. Është e rëndësishme që kemi filluar reformat në sektorin e shëndetësisë. Nuk ka qenë e lehtë të bëhen ndryshimet e deritashme, qoftë në përmirësimin e kushteve të punës, qoftë në përmirësimin e kushteve materiale të stafit shëndetësor”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Drejtori i UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se vizioni i UNICEF-it është që çdo fëmijë të ketë jetë të shëndetshme dhe pastaj edhe arsim më të mirë.
“Partneriteti që kemi në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili është model edhe për vende tjera. Ky program ka për qellim që secila grua shtatëzënë dhe nëna që ka lindur fëmijë, t’i kenë gjatë dy viteve shtatë vizita të mjekëve në shtëpitë e tyre. Gjatë 2018 në mbarë komunat ku e realizojmë këtë projekt, janë kryer mbi 15 mijë vizita në shtëpi. Dua ta falënderoj kryetarin e Kuvendit i cili na ka mbështetur vazhdimisht në realizimin e programeve tona në Kosovë”, tha shefi i UNICEF në Kosovë, Murat Sahin.
I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, i cili falënderoi ministrin e Shëndetësisë për mbështetjen e Komunës së Drenasit.
Nga shtatë sa ishin në vitin 2016, prorgami i vizitave në shtëpi është zgjeruar në 16 komuna, me idenë që të shtrihet në të gjithë Kosovën.
Gjatë vitit 2018 janë realizuar mbi 15 mijë vizita në shtëpi, me synimin që numri i tyre të rritet akoma këtë vit. /Lajmi.net/