Pas dorëheqjes së befasishme nga pozita e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni po kërkon përsëri strehë në Policinë e Kosovës, institucion ky që e udhëhoqi për vite me radhë, deri në skandalin me gylenistët, kur edhe u shpërblye me pozitë në Agjencinë për Inteligjencë,.
Kjo u bë e ditur në një përgjigje për Express nga Policia e Kosovës, ku shkruhet se Maxhuni i është drejtuar PK-së me një kërkesë për rikthim në punë në këtë institucion.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z. Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Megjithatë, Policia nuk ka dhënë tutje detaje se për çfarë kërkese bëhet fjalë si dhe nëse është shqyrtuar ajo. Maxhuni në anën tjetër ka qenë i paqasshëm gjatë mëngjesit të sotëm.
Shpend Maxhuni dorëzoi dorëheqjen te kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, me datë 6 nëntor, derisa një ditë më vonë Haradinaj tha se kjo dorëheqje kishte ardhur si pasojë e shkaqeve shëndetësore.
Express në anën tjetër ka raportuar se dorëheqja e tij lidhet me ftesën nga Gjykata Speciale, derisa për Maxhunin u raportua se mund të shkojë edhe si konsull në Izmir.
MPJ-ja ka konfirmuar se është në procedurë të hapjes së konsullatës në këtë vend.