Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli ka votuar në shkollën “Halil Bajraktari”, në Drenas, i cili ka thënë se pret fitore.
Pas votimit, Xhemajli u ka thënë mediave se është e rëndësishme që këto zgjedhje të rrjedhin në mënyrë demokratike dhe pa presion.
“Unë pres që këto zgjedhje të rrjedhin në mënyrë demokratike, pa presione që qytetarët e Drenasit të votojnë lirshëm në këto zgjedhje, sigurisht që pres edhe ndryshime. Gjithsesi që pres fitore, jo unë por qytetarët e Drenasit presin ta kenë fitoren”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu shtoi që deri tani ka pasur presion në disa njerëz të caktuar dhe tek disa kompani që kanë lidhje me pushtetin në Drenas.
“Deri tani ka pasur presion, sidomos gjatë kësaj fushate ka pasur presion tek të punësuarit, tek shërbyesit civil, por nuk ka munguar presioni as tek disa kompani që janë të lidhur me pushtetin në Drenas”, shtoi ai.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lista Përfundimtare e Votuesve për këtë komunë përmban 52 mijë e 569 emra të votuesve, me një rritje prej 2 mijë e 338 votues, apo 4.45% më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit në këtë komunë. Të gjithë këta votues janë të shpërndarë në 28 Qendra të Votimit me 72 Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00./KosovaPress/