Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth procesit të brendshëm zgjedhor të partisë që ai drejton. Mustafa ka treguar nëse ka aktualisht kandidatë për kryetar të LDK-së ose jo.
Mustafa ka thënë se zgjedhjet e brendshme në LDK synojnë forcimin e mëtejmë të kësaj Lidhjeje, që sipas tij, gëzon besimin më të madh në Kosovë.
“Po informohem çdo ditë se kemi një proces të suksesshëm dhe demokratik dhe një interesim të gjerë për anëtarësime të reja në LDK. Fokusimi ynë është në zgjerimin e LDK-së, në zgjedhje të suksesshme në nëndegë dhe në degë. Kandidimet për kryetarë të degëve dhe për Kryetar të LDK-së, sipas Statutit, do të bëhen në Kuvendet e degëve, përkatësisht atë qendror të LDK-së. Tani LDK-ja nuk ka kandidatë për kryetarë e as kryetarë në largim. Zgjedhjet i fillon dhe i kryen LDK-ja duke e respektuar vullnetin e shumicës. Ky vullnet do të dihet pasi të përmbyllet procesi në degë. Prandaj kandidatët i shpall LDK-ja duke respektuar vullnetin e çdonjërit”, ka thënë Mustafa përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
Kreu aktual i LDK-së, që u raportua se do të kërkojnë besimin e anëtarësisë edhe për një mandat, ka kërkuar që të respektohet procesi nëpër të cilin kalon LDK-ja.
“Do tu isha mirënjohës gjithë atyre që e respektojnë këtë proces”, ka shtuar Mustafa. /FaktePlus