Rajon & Botë

Irma “rrafshoi” Floridan (Foto)

Evakuimet për shkak të uraganit Irma po kthehen në skena katastrofike, ndërkohë që çereku i shtëpive në Florida mësohet se është shkatërruar.

Imazhet e fundit tregojnë mijëra banesa të rrënuara dhe të përmbytura, pak pasi stuhia e goditi rajonin me erëra që arrinin deri në 192 kilometra në orë.

Ekipet e shpëtimit po lëvizin nëpër zonat e prekura për të shpërndarë furnizime emergjente me ujë dhe ushqim.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump do të vizitojë Floridan të enjten për të parë dëmet e shkaktuara nga uragani i fuqishëm.

“BBC” raporton se ky do të jetë udhëtimi i tretë i Presidentit Trump për shkak të uraganeve, brenda këtyre dy javëve.

Numri i të vdekurve nga uragani Irma ka arritur në 45 veta, përfshirë 10 në Shtetet e Bashkuara, pasi stuhia që ka zbarkuar në Karaibe, ka goditur edhe Floridan, Xhorxhian dhe Karolinën Jugore.

Agjencia Federale e SHBA-së për Menaxhimin e Emergjencave tha se një në katër shtëpi në Florida Keys është shkatërruar nga Irma, ndërsa 60 përqind e shtëpive në këtë grup ishujsh kanë pësuar dëme. Po ashtu, llogaritet se 13 milionë banorë të Floridas mbeten pa energji elektrike.