Irani e ka shënuar një prej shifrave më të ulëta të viktimave të virusit për periudhën 24-orëshe në javët e fundit.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit njoftoi se për një ditë në këtë shtet u regjistruan 60 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 5,710.
Ndërkohë numri i personave të infektuar shkoi në 90,481, duke e bërë Iranin vendin më të prekur nga Covid-19 në Lindjen e Mesme dhe një ndër shtetet me më së shumti raste në botë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ditëve të fundit, Irani i ka regjistruar mesatarisht nga 90 të vdekur në ditë, prandaj shifra prej 60 viktimave të dielën është zhvillim pozitiv në luftën kundër koronavirusit.
Autoritetet iraniane para disa javëve kanë kërkuar 5 miliardë dollarë hua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për t’u përballur me krizën e shkaktuar nga pandemia, por e kanë refuzuar ndihmën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara.