Dy atentate kamikaze, njëri prej të cilëve i kryer me një ambulancë kanë shkaktuar të paktën 18 të vdekur dhe 30 të plagosur sot në dy qytete në veri të Bagdadit, njoftuan zyrtarët irakianë.
“Një kamikaz ka shpërthyer automjetin e tij në hyrje të pjesës jugore të Tikritit ndërkohë që një kamikaz tjetër ka shkaktuar shpërthimin e një ambulance në Samarra”, theksuan zyrtarët.
Sulmi nuk është marrë përsipër nga ndonjë grup, por xhihadistët e Shtetit Islamik kryejnë herë pas herë atentate në vend.
Forcat irakiane janë angazhuar aktualisht në një operacion të gjerë për t’i rimarrë organizatës ekstremiste qytetin e Mosulit, bastioni i fundit në Irak.