Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar sot dhjetë vjetorin e themelimit, në ceremoninë e së cilës kanë marrë pjesë ministri Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Me këtë rast kryeshefi i IPK-së Hilmi Mehmeti tha se Inspektorati Policor gjatë kësaj periudhe ka pasur një progres të vazhdueshëm të zhvillimit si mekanizëm i jashtëm, i pavarur, i kontrollit dhe mbikëqyrjes së policisë së Kosovës për të siguruar se puna e pjesëtarëve të policisë së Kosovës zhvillohet në përputhje me mandatin ligjor.
Sipas tij rrugëtimi i Inspektoratit nuk ka qenë pa sfida drejt krijimit të një reputacioni dhe besueshmërie që IPK-ja gëzon sot te qytetarët e Kosovës.
“Gjatë këtyre dhjetë viteve të zhvillimit profesional dhe ndërtimit të këtyre kapaciteteve , kompletimit të infrastrukturës ligjore dhe rrugëtimit drejt realizimit të vizionit dhe misionit ligjor IPK-ja përveç përkrahjes nga institucionet vendore si Ministria e Punëve të Brendshme u përkrah fuqishëm edhe nga organizata profesionale siç janë ICITAP-i amerikan, OSBE, EULEX etj të cilat i falënderojmë përzemërsisht për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i dhënë IPK-së. Realizimi me sukses i misionit të IPK-së natyrisht që ka ndikuar edhe në fuqizimin e imazhit dhe integritetit të policisë të Kosovës e cila me të drejtë vlerësohet si storie e suksesit dhe një ndër policitë më të mira në rajon”, tha Mehmeti.
Mehmeti tha se si kryeshef i IPK-së do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm krijimin e kushteve sa më të favorshme për punën dhe punonjësit e IPK-së, avancimin profesional posaçërisht përmes trajnimeve në fushat e specializuara në të cilat ka mandat IPK-ja, në mënyrë që përmes punës profesionale të ndikojnë pozitivisht në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative qofshin ato brenda radhëve të policisë mirëpo edhe brenda radhëve të IPK-së, e cila pastaj do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës dhe besimit ndaj qytetarëve.
Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni tha se sot po shënohet një dhjetëvjetor i një njërës nga hallkat e sundimit të rendit dhe ligjit.
“Në mënyrë që ta ruajmë me çdo kusht integritetin moral të policisë së Kosovës, është Inspektorati Policor dhe institucione tjera siç është Komisioni Parlamentar për Siguri që duhet të sigurojë që asnjëherë dhe në asnjë rrethanë që individë të papërgjegjshëm ta prishin imazhin e mirë të Policisë të Kosovës në ruajtjen e pasurisë publike dhe private, në mbrojtjen e jetës së lirisë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe deputeti Anton Quni, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Siguri dhe Punëve të Brendshme, ndërsa për nder të dhjetë vjetorit të IPK-së janë ndarë edhe medalje për punonjësit e këtij institucioni./KosovaPress/