Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, tha se projektet e identifikuara do të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit tonë, gjë që do të përshpejtojë rrugën e Kosovës drejt integrimit në familjen evropiane.
Ajo këto komente i bëri në takimin e shtatë të “Këshillit Kombëtar për Investime”, me ç’rast u tha se janë një sërë projektesh për infrastrukturë, të cilat pritet të fillojnë, e të cilat do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të vendit.
Hoxha tha se këto projekte do të krijojnë dhe mundësi më të mira, për të gjithë qytetarët.
“Ky këshill është dhe një përpjekje më shumë, për ta avancuar procesin e integrimit evropian. Janë një sërë projektesh për infrastrukturë që pritet të fillojnë dhe të cilat do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të vendit. Ashtu sikundër që do të kenë ndikim në zhvillimin e gjithmbarshëm të rajonit. Duke pasur parasysh se investimi në projekte infrastrukturore, është qenësor për mirëqenien e qytetarëve tanë, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë intensivisht, për t’u përgjigjur kërkesave që do të dalin nga procesi i Berlinit, sepse vetëm duke investuar në projekte infrastrukturore, nacionale e rajonale do ta shkurtojmë dukshëm rrugën e anëtarësimit në BE dhe rrjedhimisht do të jemi në shërbim të mirëqenies së qytetarëve tanë“, tha Hoxha.
Hoxha tha se gjatë këtij viti në koordinim mes Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Financave, kanë përditësuar listën prioritare të projekteve për vitin 2018 dhe se tani kanë programin e investimeve infrastrukturore, i përbërë nga 63 projekte në fushën e transportit, energjisë, mjedisit dhe sektorit social, në vlerë totale prej 3.4 miliardë euro.
Ndërsa shtoi se kjo listë prioritare e projekteve është dokument kyç i qeverisë, për planifikim të investimeve infrastrukturore për dekadat në vijim.
Ministri i Financave Bedri Hamza tha se ministria që ai drejton së bashku me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe me ministritë e sektorëve përkatëse, janë në proces të identifikimit të projekteve për t’i zhvilluar, deri në realizimin e tyre me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës për qytetarët e Kosovës, e sidomos për gjeneratat e reja.
Hamza më tej theksoi se Korridori i 10 i Hekurudhës, rruga Prishtinë-Pejë, Rehabilitimi i kanalit Ibër-Lepenc, Projekti i Ujërave të zeza në shumë qytetet të vendit si dhe një sërë projektesh tjera, përbëjnë vlerë të jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit.
Ai njëherësh ka kërkuar dinamizimin e procedurave nga ministritë e linjës, për të arritur efektet sa më të shpejta, në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të vendit.
“Ministria e Financave së bashku me Ministrinë e Integrimit Evropian, do të punojë ngushtë me të gjitha ministritë, për t’i identifikuar projektet që janë në interes për qytetarët e republikës së Kosovës. Ne do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për përfshirjen e institucioneve serioze për implementimin e projekteve me standarde me moderne dhe me kthim më të lartë për ekonominë e vendit e të cilat Kosovën e vendosin në pozitë të përshtatshme, për t’u integruar në Evropë. Është bukur pjesë e vështirë, thuajse ndër më të vështirat, sigurimi i konstruksionit financiar, për implementimin e projekteve të caktuara. Më tash siç e thash dhe me lartë, financat për shumë projekte janë siguruar. Por unë kërkoj nga ministritë e linjës, nga institucionet implementuese, të projekteve që pa vonesë ta dinamizojnë punën. T’i kryejnë të gjitha procedurat dhe të fillojë ekzekutimi i projekteve, me qëllim që kà «to projekte ta japin ndikimin e vet, në rritjen ekonomike dhe në ekonominë në përgjithësi”, tha ai./KP/