Përfaqësues të komunave të Kosovës kanë kërkuar që investimet kapitale të cilat po ndodhin vetëm në infrastrukturë, të orientohen tash e tutje në funksion të zhvillimit ekonomik.
Kërkesa e tyre erdhi në konferencën “Analizë për investimet kapitale në komunat e Kosovës”, ku u prezantua dokumenti që analizon trendet e investimeve kapitale në komunat e Republikës së Kosovës për periudhën 2011-2015, si dhe mundësitë e avancimit të tyre në bashkëpunim me akterët e përfshirë në këtë proces. Vlera e investimeve për këtë pesë vjeçar ishte 158 milionë euro kryesisht për projekte infrastrukturore.
Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, theksoi se në dokumentin e prezantuar sot janë realizuar projektet kapitale pesë vjeçare që ka për synim të shërbejë për komunat një planifikim për investime kapitale të qëndrueshme.
Ajo tha se dokumenti në fjalë vë në pah edhe rëndësinë e planifikimit të drejtë të investimeve kapitale nëpër komuna, gjithashtu me këtë dokument , sipas saj, synohet që t’i shërbej komunave për planifikimet e ardhshme duke parë performancën e realizimit të kësaj kategorie.
“Dokumenti i cili po prezantohet sot paraqet një qasje gjithëpërfshirëse lidhur me trendet e planifikimit dhe realizmit të investimeve kapitale në komuna të republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe krahasimet ndërmjet planifikimit dhe realizimit të investimeve publike në komuna. Dokumenti jep një pasqyrë të qartë pesë vjeçare se sa janë realizuar investimet kapitale nga të hyrat vetanake, grante qeveritare dhe burime të tjera. Gjithashtu ky Dokument pasqyron edhe krahasimin në mes investimeve sa i përket viteve, por edhe sektorëve të cilat janë invetuar”, tha Ukimeraj.
Ajo tutje tha se ky dokument synon që qytetarëve dhe publikut t’i jep informacionin e duhur lidhur me shpenzimet e fondeve publike të dedikuara për investimet kapitale që njëkohësisht ka për qëllim edhe rritjen e transparencës sa i përket investimeve në komuna.
Drejtoresha e programit USAID, Amy Denkenberger, tha se gjatë tri viteve kanë arrit që të punojnë me disa komuna të Kosovës, fatkeqësisht ajo tha se nuk kanë mundur ta mbulojnë tërë Kosovën.
Denkenberger tha se angazhimi tyre me komunitetin për të ngritur zërin rreth brengave të tyre, ishte për t’i ndihmuar dhe avancuar komunat dhe komunitetet e tyre. Ajo ka përmendur bashkëpunimin me biznese familjare, mikrobiznese, dhe i kanë ndihmuar të punojnë së bashku si komunitet biznesi në tregun e Kosovës.
“Gjatë tri viteve ne kemi punuar me 12 komuna për të nxjerrë listën e tyre të prioriteteve, kjo nuk është asgjë e re për ju, mirëpo ne kemi punuar që të identifikojmë 525 prioritete dhe është një mesatare e 40 projekteve dhe kjo prekë atë sipërfaqen e fushëveprimit të madh të punës tonë dhe të MAPL-së. Andaj, jam e gatshme që sot këtu t’ju ndihmojë juve duke iu përgjigjur për nevojat e investimeve kapitale”, tha Denkenberger.
Kryeshefi ekzekutiv në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se investimet kapitale nëpër komuna nuk duhet të bëhen nga niveli qendror pa koordinim me komunat e Kosovës.
Ai tha se duke parë këtë analizë shihet qartë që investimet kapitale në komunat e Kosovës përveç vitit 2014 (kur kishte ngritje të pagave), investimet kanë shënuar një trend pozitiv gjithashtu edhe me qarkoren buxhetore të këtij viti për investime kapitale në vitin 2017. Ai beson se këto investime në të ardhmen do të rriten në vazhdimësi.
“Ne si Asociacion i Komunave kemi kërkuar në disa raste nga Ministritë e linjës, të cilat janë ministria e Arsimit, ministria e Shëndetësisë, ministria e Infrastrukturës dhe ministria Pushtetit Lokal të bëjnë një analizë paraprake sa i përket investimeve nëpër komuna. Ne mendojmë se Ministria e Arsimit duhet t’i hartojë politikat sa i përket arsimit e jo të merret me investime nëpër komuna për ndërtimin e shkollave apo çerdheve”, tha Ibrahimi.
Berat Thaçi nga Instituti GAP, tha se komunave të Kosovës duhet t’u ndahen më shumë buxhet për investime kapitale, kurse, komunat të jenë më transparente për investimet e tyre. Edhe ndarja e buxhetit nga Qeveria nuk duhet të ketë orientim politik për komunat. Thaçi ka përgëzuar MAPL për këtë prezantim të analizës së investimeve, meqë sipas tij paraqet transparencë më të madhe. Ai ka marrë shembull edhe ndërtimin e një shkolle në një fashat të Ferizajt, e cila sipas tij, sot nuk është funksionale.
‘Instituti GAP ka ngritur shqetësimin në të kaluarën lidhur me mungesën e transparencës sa i përket kritereve të orientimit të këtyre investimeve kapitale, investimeve nga niveli qendrorë në atë lokal. Të njëjtin shqetësim e ka ngritur edhe raporti i Komisionin Evropian disa vite rresht. Duke marrë parasysh dobësitë në planifikimin dhe mungesën e transparencës së këtyre investimeve, p.sh., ne kemi pasur raste kur janë ndërtuar shkolla në një fshatë në komunën e Ferizajt dhe aty nuk ka nxënës për të ndjekur mësimin dhe tashmë që gjashtë vjet ajo shkollë nuk funksionon fare”, theksoi Thaçi.
Zyrtarë të USAID-it patën vërejtje te ministritë e linjës investojnë pa u koordinuar me komunat. Sipas tyre, investimet duhet të ndodhin në ato komuna që ka nevojë dhe të gjendet mënyra e investimeve të qëndrueshme dhe afatgjate./KP