Arsim & Kulturë

INTERVISTË/ Lulzim Tafa: Arsimi e shëndetësia kanë mbetur oazat e fundit të socializmit

Është krijues i vargut. Dashuria për vargun nuk e ka ndaluar atë që çdo gjë që na rrethon ta kthejë në art. Ka kaluar në kohë të vështira kur Kosova po përballej më luftën. Poeti i  mirënjohur Lulzim Tafa i takon brezit  “emergjent” të poetëve të Kosovës që u krijuan  si një armatë e vogël letrare e artistike për ta luftuar me art të keqen e madhe që i ra si hije morti.

Në një intervistë për Gazetën KNN ai flet për izolimin që po u bëhet kosovarëve sa i përket lëvizjes së lirë. E arsimi së bashku me shëndetësinë, sipas tij kanë mbetur oazat e fundit të socializmit.
Gazeta KNN: Si e sheh shoqërinë kosovare në aspektin e vlerave arsimore dhe kulturore?

 

Lulzim Tafa: Ne jemi në Evropë dhe nuk ndahemi dot nga kontinenti ynë, përkundër shumë përpjekjeve që ka pasur në të kaluarën për të na shkëputur. Ne shqiptarët patëm fatin tragjik që jetuam epokën e komunizmit për dekada të tëra. Ne kosovarët kishim mbi kokë Jugosllavinë dhe Serbinë, kurse shqiptarët e Shqipërisë diktaturën më të tmerrshme të kohës. Paramendojeni Shqipërinë e diktaturës së para tri dekadave, e cila ishte si Koreja e Kim Jongut sot. Sot ne jemi përafruar shumë me Evropën, megjithëse ajo, sa i përket lëvizjes së lirë, padrejtësisht po na mbanë vetëm neve të izoluar.

Sa i përket fushës së arsimit, e kam thënë këtë edhe më parë, se te ne shqiptarët,a rsimi së bashku me shëndetësinë, kanë mbetur oazat e fundit të socializmit. Ne, në një mënyrë, sot kemi një arsim socialist. I patë rezultatet e PISA-së! në edukim, pra aty ku ka ende monopol shteti. Është dëshmuar sa e sa herë që monopolet nuk sjellin asgjë të mirë. Lexojeni Nenin 16, paragrafi 5, të ligjit për arsimin e lartë. Një ligj i çuditshëm dhe paradoksal (në kundërshtim edhe me vetë Kushtetutën e Kosovës, Kushtetutë e cila garanton barazi në të gjitha sferat e arsimimit dhe edukimit). Unë këmbënguli se aty e gjeni arsyen e rezultateve të tmerrshme të PISA-së. Me kulturën qëndrojmë mëmire.Janë inkurajuese sukseset e filmit të metrazhit të shkurt “Shok”, sukseset e aktorëve tanë në botë; Arta Dobroshi, Alban Uka, Iliri (Tafa) në Sarajevë e Zagreb. Edhe letërsia jonë është e respektuar në botë. Kemi shumë shkrimtarë të mirë kosovarë, disa prej të cilëve kanë bërë emër në botë. Edhe me artin muzikor jemi shumë lart. Një prej ikonave të pop muzikës botërore Rita Ora është kosovare, edhe Dua Lipa, po ashtu. Ato kanë emër tëmadh në botë. Bota të matë dhe të vlerëson me sukses dhe rezultate. Pra kosovarët kanë dëshmuar se kurdo që ju jepet mundësia të tregojnë për vlerat dhe talentet që kanë.

 

Gazeta KNN: Ku mendoni se gjeneratat e reja duhet të fokusohen më shumë?

Lulzim Tafa: Mendoj se duhet të instalohen sisteme të mirëfillta të zbulimit të afiniteteve të hershme të fëmijëve nëpër shkolla, që aty ata të vendosin për profesionet e tyre të ardhshme. Përzgjedhja e profesionit është një çështje shumë e rëndësishme, ajo nuk duhet të bëhet add-hoc dhe vetëm pas përfundimit të maturës. Universitetet duhet të përgatisin kuadro të kualifikuara konform nevojave të tregut të punës. Ne jemi në një rrugë të pakthim drejtë integrimeve euroatlantike.Duhet që të përgatisim kuadro edhe për tregun evropian e global. Bota po zvogëlohet çdo ditë e më shumë, sa më shumë që po avancon teknologjia. Unë kam besim se të rinjtë tanë janë konkurrentë me të rinjtë e vendeve evropiane.

 

Gazeta KNN: Përveç angazhimit tuaj si rektor në Kolegjin AAB, ju jeni edhe krijues i vargut. A ke pasur vështirësi të depërtosh si poet në Kosovë kur dihet në çfarë tranzicioni ka kaluar ky vend?

Lulzim Tafa: Unë nuk mbaj në mend asgjë nga vetja ime pa poezinë. Gjithë jetën e kam kaluar me të. Librin e parë e kam botuar si student në një periudhë shumë të vështirë për Kosovën. Ishin kohëra të vështira, por të them të drejtën ishin shumë poetike. Si brez unë i takoj atij brezi “emergjent” të poetëve të Kosovës që u krijuam si një armatë e vogël letrare e artistike për ta luftuar me art të keqen e madhe që na ra si hije morti. Tamam dukeshim si armatë, e kishim komandantin tonë “ Legjendar” Ali Podrimjen në ballë, por edhe Azem Shkrelin, Din Mehmeti, Mirko Gashin, Agim Vincen etj. Poezia funksiononte, mbanim shumë orë letrare, të gjitha gazetat botonin poezi, por në atë kohë edhe lexohej shumë poezia. Sa i përket ambientit artistik e poetik, çuditërisht, jam paksa nostalgjiki asaj kohë të vështirë por shumë poetike.

Gazeta KNN: Çfarë është të qenit poet për ju dhe sa vlerësohet një epitet i tillë sot?

Lulzim Tafa: Për të qenë poet duhet plotësuar dy kushte, të shkruash dhe të të lexojnë. Me këto dyja je poet. Dikur ishin mundësi të kufizuar që të promovoheshe si poet, kurse tani është me lehtë. Poezia në ditët e sotme lexohet, nuk është që nuk lexohet, por edhe poezia duhet të zbulohet nga ai plafi metaforik e simbolik, e në disa raste arbitrar do të thosha unë,  që ka qene i mbuluar sidomos në kohën e socrealizmit. Jetojmë në një kohë tjetër tani, nuk ka kohë më kush të ulet e të lexojë atë tip poezie ku mesazhi është i shtresuar dhe hermetik, që të hapet me kode dhe të kërkohet punë për ta gjetur. Ajo poezi ka perënduar. Poezia duhet të hapet, që të lexohet e sidomos të kuptohen më lehtë. Unë për vete nuk e kam përjetuar kohën e censurës dhe shkruaj çka më vije, pa e qarë kokën për asgjë.

 

Gazeta KNN: Ju keni një formim personal në fushën e jurisprudencës. Sa është i mundur gërshetimi mes saj dhe poezisë dhe cila ju apasionon më shumë?

Lulzim Tafa: Të jesh një jurist dhe njëkohësisht edhe shkrimtar apo poet, si puna ime, nuk është diçka e re. Shumë prej shkrimtarëve të mirë të botës janë juristë, madje në botë ka edhe shoqata të shkrimtarëve juristë. Duke qenë se ne i takojmë letërsisë shqipe, që është në kuadër të letërsive të kombeve të vogla, unë herët e kam kuptuar një thënie se “është mirë të jetosh me art por jo prej artit”. Unë në jetë bëj  edhe punë të tjera; edhe të profesorit, edhe të menaxherit, por unë ndihem vetëm si poet, jetoj si poet edhe kur jam menaxher edhe kur jam profesor. Jam  i lidhur aq shumë me poezinë sa që nuk e imagjinoj jetën pa të, madje shpesh më habit ajo se si njerëzit jetojnë pa poezinë. Këtë nuk e kam kuptuar kurrë.

Gazeta KNN: Cili është mendimi juaj për kritikën letrare? 

Lulzim Tafa: Edhe letërsia nuk mund të funksionojë pa logjistikën e vet. Logjistika e saj është kritika letrare, gazetaria e mirëfilltë e kulturës, shtëpitë botuese, distribuimi, por edhe marketingu. Nuk e di pse njerëzit e nënçmojnë marketingun te produktet artistike. Për mua është shumë i rëndësishëm ai marketing. Teatri, opera, filmi e sidomos libri ka shumë nevojë për promovim dhe marketing që të bie në veshët e klientelës potenciale (lexuesve të librit). Edhe libri si çdo produkt tjetër ka nevojë për reklamë. Nuk di nëse mund të themi se sot kemi kritikë, por dikur kritika funksiononte, dikush merrej me ne, dikush të lavdëronte, dikush të kontestonte, por  e rëndësishme ishte se dikush merrej me ne poetët.

Gazeta KNN: Cilat janë momentet më frymëzuese për ju dhe cili është motivi i poezive tuaja?

Lulzim Tafa: Unë e jetoj përditshmërinë dhe nganjëherë më duket se nuk bëj asgjë tjetër përveçse e konvertoj këtë përditshmëri në art, apo së paku mundohem ta kthej në art. Secili moment i mirë e i keq më frymëzon, por jo gjithherë shkruaj.Unë jetoj si poet edhe kur nuk shkruaj. Poetika dy misione; të flas bukur për gjerat që i ndien, njësoj si për trishtimin, si për gëzimin, urrejtjen, dashurinë, vdekjen, jetën, dhe të vendos pranë njëra tjetrës fjalë që kurrë më përpara nuk kanë qenë bashkë.
Intervistoi: Besarta Shatri