Aktuale

Interpelanca e kryeministrit përplasë deputetët e koalicionit

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierën e Sibovcit, meqë deputetët e partive të koalicionit votuan kundër. Në interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pikërisht për këtë çështje, u paraqitë situatë shqetësuese në fushën e mihjes së re në Sibovc, meqë pjesa e destinuar për mihje tashmë ka mbi 260 ndërtime pa leje.

Kritika ndaj Qeverisë për mos reagim, pati nga deputetët e opozitës, porse përplasje pati edhe mes deputetëve të PDK-së e LDK-së.

Kërkuesja e kësaj interpelance, deputetja e Vetëvendosje, Donika Kadaj theksoi se kjo gjendje do të duhej të ishte shmangur meqë qysh nga viti 2004, ka vendim të Qeverisë për ta trajtuar fushën e Sibovcit si zonë të interesit të veçantë, meqë është e destinuar për mihje të re.

Sipas saj, kjo çështje është ekskluzivisht në kompetencë të Qeverisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik sa i takon garantimit të kushteve të plota për punë të Korporatës Energjetike, si dhe marrjen e masave dhe planifikimin për çfarëdo problemi me zonat e banuara përreth.

 

“Prej disa kohësh Kosova është duke u përballur me krizë të thellë energjitike. Midis një seri shkaqesh të tjera, një problem me pasoja të tepër të rënda është dhe situata në fushën e Mihjes së re, Sibovc. Në territorin e destinuar për mihje tash ka mbi 260 ndërtime pa leje. Përpos importit direkt të energjisë elektrike nevojat për thëngjill të Korporatës Energjetike të Kosovës tash sa vite po plotësohen nga importi i thëngjillit. Në fushën e mihjes së re në Sibovc tash e sa kohë është ndalur pjesërisht puna në heqjen e djerrinës dhe përgatitjes së mihjes së thëngjillit. Kjo për shkak të ndërtimeve të jashtëligjshme në këtë zonë”, tha Kadaj.

Sipas deputetes Kadaj, kjo situatë e ka vendosur KEK-un para faktit të kryer e që tashmë i kërkohet të negociojë për kompensim me ata që janë udhëzuar të cilët shkelin ligjin dhe të rrezikojnë qoftë jetët e familjarëve të tyre, qoftë punën e KEK dhe prodhimin në këtë ndërmarrje.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa edhe pse tha se ekzistojnë arsye që në Kuvend të diskutohet për këto problem sepse janë problem që i preokupojnë çdo ditë, porse një pjesë të rezolutës e quajti të panevojshme.

 

“Mirëpo sa i përket rezolutës së paraqitur në këtë interpelancë, mendojë që pikat e paraqitura në përgjithësi nuk nevojiten një pjesë e kësaj rezolute, për arsye se afatet dhe metodologjia e cila do të shfrytëzohet për këto shpronësime do të jetë zhvendosja e qytetarëve që ndërlidhet drejtpërdrejt me ligje, andaj ligji i përcakton këto dhe nuk ka arsye që procedurat që janë të përcaktuar me ligj të zëvendësohen me rezolutë…Sa i përket masave ligjore që propozohen në rezolutë ne jemi të informuar se Korporata Energjetike e Kosovës tashmë ka kohë që ka bërë kallëzime penale pran organeve përkatëse për mosveprim të ndërtimeve ilegale në zonën e interesit nacional dhe po ashtu pajtohem se veprimet duhet të ndërmerren edhe në të ardhmen ndaj të gjithë atyre që e kanë mundësuar këtë dhe nuk I pengojnë këto veprime”, tha Mustafa.

Por pasi morën fjalën deputetët, debati u nxeh. Kur pritej që përplasje të kishte mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit, ndodhi e kundërta. Përplasje pati mes deputetëve të dy partive në pushtet.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja akuzoi Qeverinë se po i mashtron qytetarët me ligje të pa implementueshme. Ai tha se sa është investuar në KEK, ishin bërë dy KEK-a.

 

“Ju duhet të dilni të thoni se ne po bëjmë ligje mashtruese, fiktive që nuk janë të implementueshme dhe këtu nuk ka inate, nuk ka interes personal. Prandaj perspektiva e jonë është e cunguar me qëndrimet që po i bëjmë ne vet, qëndrimet duke filluar nga Qeveria që nuk ka një strategji, gjendja ekonomike maskohet tërë kohën me parametra fiktiv dhe ajo praktikë do të na tregoj neve, na tregon edhe situata ekonomike në popullatë. Prandaj ne nuk kemi nevojë të maskojmë asgjë, nuk e kemi marrë në pronësi Kosovën që të mburremi në aspektin personal, nëse nuk jemi të aftë ne duhet të lëvizim nga postet le të vijë sovrani që do t’i zgjedh ata që janë të aftë edhe si shfrytëzohet qymyri edhe si garantohet energjia, edhe si ruhet ambienti edhe si ruhet perspektiva”, theksoi Muja.

Por reagoi deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila akuzoi disa zyrtarë të PDK-së se po e zhvatin KEK-un, porse nuk ka përmendur emra konkret.

Sipas saj, KEK-un e kanë shkatërruar qeveritë e mëhershme, porse nga përgjegjësia nuk e ka amnistuar edhe qeverinë aktuale që drejtohet nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.

 

“Nëse keni harruar janë ende në kontest gjyqësor kontratat që kanë lidhur zyrtarët e PDK-së me KEK-un të cilat nuk dihet si do të përfundojnë dhe për çfarë janë dërguar në gjykata, dhe kjo nuk është e fshehtë dhe që dikush po donë të vëjë në pah diçka, por janë fakte dhe argumente të cilat janë publike. Angazhimi kryesor i zyrtarëve të PDK-së në KEK shkoni vetëm bëni një kontroll dhe e shihni është punësimi enorm i militantëve partiake të PDK-së…Dhe KEK-un po e zhvatin edhe më tutje, dhe po e grabitin edhe më tutje, zyrtarë të PDK-së, përfshirë edhe ndonjë deputetë që po vajton këtu për KEK-un. I dini emrat më mirë se unë, që doni ua them edhe me emra se kush ka firma, kush po zhvat edhe kush po bën kontrata katastrofale milionëshe dhe që jeni nëpër gjyqe dhe tona. Mos hidhni gurë aty ku nuk mundeni me nxjerrë”, tha Tërmkolli.

Kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i reagoi deputetes Tërmkolli, duke i kërkuar asaj që nëse ka fakte konkrete le t’i dërgojë në prokurori apo të kërkojë edhe komision parlamentar hetimor, por mos të bëjë akuza të tilla meqë janë lodhur nga to.

 

“Dua të them që e fsheh veprën penale dhe nuk shkon me paraqit dënohet me ligj. Prandaj zonja Tërmkolli t’u kisha lutur që të kërkosh të bësh komision parlamentar, sepse t’i se prokurore dhe nëse ke fakte të lutëm shko në prokurori, edhe këtu kërko komision unë nuk kam asgjë kundër, nuk i di ato personalisht, por është shumë e përgjithësuar por t’u kisha lutur nëse ke diçka thuaje dhe ne si parlament mund ta bëjmë një komision hetimor sepse përnime jemi lodhur prej përrallave edhe prej disa mediave edhe prej akuzave kuturu në Parlament”, theksoi Haliti.

Ndaj deputetes Tërmkolli replikoi sërish deputeti i PDK-së, Shaip Muja, i cili e quajti turp të dëgjosh gjëra të tilla nga deputetët.

 

“Parafolësja hodhi disa pupla të cilat po mendon që publiku i han dhe i falënderoj shumë sepse këta kanë strategji ta gjuajnë topin diku tjetër për t’i ikur qëllimeve ku janë duke e bërë llugë. Nuk ka nevojë të thotë, PDK-ja ka emra, ka mbiemra, identitet. Kur po them, në këtë parlament ka papërgjegjësi publike edhe flasin veç në hava sa për ta dëgjuar elektorati, një elektorat që se merr vesh, ndoshta thotë me voton mua. Është e turpshme të dëgjosh duke fol gjëra të tilla, këtu nuk jemi duke folur për probleme politike personale, por për perspektiven e përgjithshme”, u shpreh Muja.

Por deputetja Tërmkolli tha se nuk këtë po e bëjnë disa zyrtarë të PDK-së, e jo PDK-ja.

 

“Unë di me thënë PDK-ja, port hash disa zyrtarë, i dini emrat, i keni në krejt mediat. Shkoni bëni një hulumtim më të vogël dhe kush kënd po e punëson, këqyrni a ka njerëz të Obiliqit, Bardhit të madh, këqyrni kush kënd po e punëson, janë gjëra të ditura”, shtoi ajo.

Kritika patën edhe deputetët e partive në opozitë. Deputeti i AAK-së, Rrustem Berisha tha se situata është alarmante dhe se Qeveria duhet të marrë masa urgjente.

 

“Ne konsiderojmë se situata është tepër alarmante, krimi po lulëzon me të madhe dhe duhet patjetër që Qeveria t’i thërret përfaqësuesit e KEK, ministrisë dhe komunës dhe të merr masa urgjente për parandalimin e kësaj dukurie që me të vërtetë është tepër shqetësuese”, tha Berisha.

Ndërsa, deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha tha se ndërtimi i atyre shtëpive në pjesën ku është e destinuar për shpronësim, është bërë për ta rritur koston e shpronësimit.

Rezoluta e propozuar nga inicuesja e kësaj interpelance Donika Kadaj, e që nuk mori përkrahje ishte që: Qeveria e Kosovës të lirojë zonën së veçantë nga ndërtimet e jashtëligjshme brenda 3 muajve në vijim. Realizimi i planit nga ana e agjencive qeveritare për largimin e të gjithë sasisë së djerrinës nga fronti i shfrytëzimit të thëngjillit jo më  vonë se 6 muaj. Të themelohet Korporata publike e thëngjillit së cilës do t’i barteshin ekskluzivisht të gjitha liçencat për hulumtim dhe shfrytëzim të thëngjillit në Kosovë. Të hetohen dhe ndërmarren masat ligjore ndaj të gjtihë të përfshirëve në këtë rast, që prej atyre që kanë penguar zgjerimin e minierës, e deri te ata që e kanë ndryshuar kahjen e zgjerimit të saj./KP