Aktuale

Integrimi i gjykatësve dhe prokurorëve në veri, në pranverë të vitit 2017?

Vendosjen e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit, i pari i qeverisë, Isa Mustafa, po e sheh si diçka që do të ndodhë shumë shpejtë ditët në vijim.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është paraparë që për shtatë komunat e rajonit të Mitrovicës, duke përfshirë edhe katër komunat veriore, të funksionojë një Gjykatë dhe një Prokurori.

Gjykata për lëndë penale do të jetë në veri, kurse për civile në jug të qytetit të Mitrovicës.

Prokuroria po ashtu do të jetë në veri, në ‘Lagjen e boshnjakëve’ që është e banuar me popullatë të përzier, ndërsa, kryetari i Gjykatës do të jetë serb, e kryeprokurori shqiptar.

 

“Së shpejti, ditët në vijim do të vendosim sistemin unitar të drejtësisë në veri të vendit, ku do të veprojë një gjykatë themelore dhe një zyre prokurorie për shtatë komuna, ashtu siç e përcaktojnë ligjet e Kosovës, dhe që vjen si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi. Tashmë strukturat paralele të drejtësisë janë shuar, ndërsa ne kemi rekrutuar kandidatë për gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ”, ka thënë Mustafa.

Mirëpo, njohësit e fushës së drejtësisë në veri, thonë se procesi rreth gjykatësve dhe prokurorëve në veri është ngrirë, derisa nuk përfillen interesat e komunitetit serb në atë pjesë.

Igor Simiq, doktor i shkencave juridike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress se organet paralele të drejtësisë në veri vazhdojnë të veprojnë qoftë edhe simbolikisht, ngase siç tha ai, këto organe nuk shqyrtojnë lëndë.

Sipas tij, rrethanat aktuale politike janë të tilla që procesi i integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve në veri, definitivisht do të prolongohet.

Ai shtoi se ky proces mund të realizohet tek në pranverën e vitit të ardhshëm.

 

“Të dhënat që flasin, parasegjithash të kryetarit të Gjykatës së lartë të Mitrovicës, Kabashiq, janë se procesi qëndron i ngrirë… Qëndrimi i thënë nga Kabashiq është shumë i qartë, e kjo është se derisa kemi një situatë në të cilën nuk përfillen interesat e komunitetit serb në veri, procesi rreth gjykatësve dhe prokurorëve është ndërpërerë…Në anën tjetër paralajmërimet nga Prishtina për një dekretim të gjyqtarëve serbë, ky është një potez i njëanshëm, sepse ju nuk mund ta vendosni dikë në një funksion pa lejen e tij dhe pa e pyetur fare nëse ai vërtetë dëshiron ta kryej një punë të tillë dhe një funksion të cilin ia besoni…Rrethanat politike janë të tilla që ky proces definitivisht do të prolongohet…Nëse gjyqtarët serbë zhbllokojnë vendimin për pjesëmarrjen e tyre në procesin e integrimit kjo mund të pritet tek në pranverën e viti të ardhshëm”, theksoi Simiq.

Në anën tjetër, qytetarët procesin e integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve serbë në veri e shohin si të vonuar.

Ata punën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve në gjykatë e prokurori, e konsierojnë si shumë normale.

Ali Kadriu, banor i veriut të Mitrovicës, tha se puna e gjykatave në veri është vonuar sepse është proces politik.

Sipas tij, lufta ka përfunduar dhe tani duhet punuar të gjithë së bashku pa dallim etnie.

Ai ka shprehur dyshimet e tij për bashkëpunimin nga ana e serbëve.

 

“Puna e gjykatave është vonuar deri sot sepse është proces politik, kjo është dashur të rregullohet më herët… Menjëherë pas luftës është dashur të funksionojnë gjykatat atje, dhe për me shku punët në rregull e n’çitele kështu është dashur, por këta e kanë shtyrë me politikë deri sot…Nëse kanë me punu bashkë, është një punë e mirë. Serbët duhet të integrohen… Lufta është kryer dhe tani duhet të punojmë të gjithë së bashku, mirëpo serbët nuk duan, ata gjithmonë kanë bërë pengesa”, tha Kadriu.

Edhe Nuredin Rama, qytetar nga jugu i Mitrovicës, theksoi se funksionimi i gjykatave në veri të vendit është proces politik i cili duhet të zgjidhet në Bruksel.

Ai përmendi lëvizjen e lirë të qytetarëve si kusht themelor për jetësimin e këtij procesi.

 

“Këto punë Brukseli duhet me i rregullu, nuk i kanë fort në dorë punët tanët. Kur t’iu thonë ata diçka me bë, këta do ta bëjnë…Ne jemi të këtuhit, duhet sot ose nesër, pa punuar bashkë nuk kemi qare. Njëqind gjaqe janë bërë dhe prapë është dashur njerëzit të ulen në qergë me i pleqnu dhe me i rregullu punët… Atëherë asgjë s’kemi bërë nëse s’kanë siguri shqiptarët me shku ose serbët nëse s’kanë siguri këndej. Duhet me pas një marrëveshje që me ekzistu lëvizja e lirë për të gjithë serbë e shqiptarë, pa marrë parasysh”, ka thënë për KosovaPress Rama.

KosovaPress-i ka provuar të marr një prononcim rreth kësaj çështje edhe nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo edhe pas tre ditë pritje, nuk ka arritur të marr ndonjë përgjigje. /KosovaPress/