Aktuale

Inspektorët e Ministrisë së Ambientit ndërprejnë shkurtimin e murit

Inspektorati i Ministrisë së Ambientit në mënyrë shumë të shpejtë dhe pa ndonjë paralajmërim, i vuri sot një shirit murit duke ndërprerë kështu punën që serbët kishin filluar për ta shkurtuar atë.

Sipas zyrtarëve të Inspektoratit të Ministrisë, punimet u ndërprenë për arsyen se ky mur do të rrënohet komplet dhe nuk do të bëhet vetëm një shkurtim i tij.

“Ne i ndërpremë punimet për shkak se ky mur do të rrënohet komplet, e nuk do të bëhet vetëm një shkurtim i tij” deklaroi për Veriu.info njëri nga Inspektorët.

Inspektori i pyetur se çfarë do të ndodhë nëse serbët nuk i ndërprejnë punimet, ai shtoi se ska se çfarë të ndodhë pasi ky mur do të largohet shumë shpejt.

“Nuk ka se çfarë të ndodhë edhe nëse serbët reagojnë. Ky mur do të largohet shumë shpejtë nga këtu” deklaroi Inspektori.

Punimet në mur u ndërprenë në ditën kur kuvendi nxori rezolutën, ku thuhej se rrënimi i murit do të ndodhë deri në fund të Janarit.

Portali Veriu.info ditë më parë raportoi se dy punëtorë serbë kishin filluar që të ‘hiqnin’ pak centimetra të murit të ndërtuar nga vetë ata.

Punëtorët të cilët po e bënin shkurtimin e murit nuk përgjigjeshin në pyetjet që bënin gazetarët e Veriu.info, se sa e kanë në plan që ta shkurtojnë murin, por vetëm thonin se nuk e dinë se sa kanë për të punuar në mur.