Aktuale

Inspektorati i Punës tregon si e zuri dheu punëtorin 36 vjeçar në Prishtinë

Në mesditën e sotme në Lagjen Arbëria të Prishtinës ka pësuar lëndime të rënda nga rrëshqitja e dheut një punëtor.

FaktePlus mëson se bëhet fjalë për personin F.B 36 vjeçar nga Hajvalia, i cili po punonte në një gyp të kanalizimit.

Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus edhe zëvendëskryeinspektori Agim Millaku.

“Punëtori F.B 36 vjeçar është nga Hajvalia. Ai bashkë me një punëtor tjetër ishin duke bërë ngjitjen e një gypi të kanalizimit, ku në atë moment ka rrëshqitur dheu dhe e ka zënë. Inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe kjo është e gjitha deri më tani”, tha Millaku për FaktePlus.

Lajmin për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, e ka konfirmuar edhe Agron Borovci zëdhënësi i policisë rajonale të Prishtinë.

Sipas tij, ai ka qenë duke punuar në një kanal i cili është përfshirë nga rrëshqitja e dheut.

I njejti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 14:00 është marre formata për rastin. Dyshohet qe përderisa ka qene duke punuar në një kanal, pjesërisht është përfshire nga rrëshqitja e dheut. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha Borovci.