Rajon & Botë

Inkursioni ushatarak turk në Sirinë veriore, mbërrin mbështetja amerikano-britanike për Ankaranë

Teksa Turqia është e angazhuar fort në operacionin anti-terror të quajtur “Dega e Ullirit”, zhvilluar në Sirinë Veriore me epiqendër Afrinin, një mbështetje i ka ardhur së fundi si nga Uashingtoni e si nga Lodra. Bën përshtypje e para, pasi në një farë mënyrë, inkursioni ushtarak turk nuk shkon me politikat e ndjekura nga SHBA në rajon, për të cilat Turqia ka shfaqur zhgënjim.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se SHBA-ja njeh plotësisht të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet e mundshme terroriste në Siri.

“Ne e vlerësojmë dhe e njohim plotësisht të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur qytetarët e saj nga çdo sulm i mundshëm i strukturave terroriste nga rajoni i Sirisë”, tha Tillerson në Londër, ku u takua me homologun e tij britanik Boris Xhonson.

Ai gjithashtu vuri në dukje se forcat amerikane janë në Siri për të luftuar organizatën terroriste ISIS.

“SHBA është në Siri për të mposhtur ISIS-in. Këtë po e bëjmë së bashku me partnerët e koalicionit dhe forcat demokratike siriane”.

Nga ana tjetër, edhe Britania e Madhe thotë se e njeh interesin legjitim të Turqisë për sigurinë e kufirit.

“Ne e pranojmë se Turqia ka një interes të ligjshëm për sigurinë e kufijve të saj”, u tha në një deklaratë të zyrës së kryeministres May.

Ndaras, në llogarinë e tij në Twitter, sekretari i jashtëm britanik Boris Xhonson shkroi: “Turqia ka të drejtë të dojë të mbajë kufijtë e saj të sigurt”.

“Ne ndajmë së bashku qëllimin e uljes së dhunës dhe përqëndrimin e vëmendjes në detyrën më të rëndësishme: një proces politik në Siri që do të çonte deri te fundi i regjimit të Asadit”, shtoi ai.

Të shtunën, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për largimin e degës siriane të PKK-së, Partia e Bashkimit Demokratik (PYD), krahut të saj të armatosur (YPG) dhe grupit terrorist DAESH (ISIS) nga Afrini. /tesheshi.com/