Aktuale

“Informacionet sekrete” të kryeministrit që çuan në përjashtimin e Kosovës nga EQAR

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte urdhëruar ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi që ta shkarkojë Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim duke i thënë se “ka pasur qasje në disa informacione të klasifikuara” që i inkriminon anëtarët e këtij bordi.

Ministri e kishte marrë vendimin për shkarkim, por më vonë, kishte dalë se “informacionet sekrete” të kryeminsitrin nuk kanë qenë të vërteta. Insajderi do të sjellë të tjera detaje rreth serisë së ngjarjeve që quan në përjashtimin e Kosovës nga organizata kryesore e BE-së që vlerëson cilësinë në arsimin e lartë në Evropë

Herbert Amato një nga tre anëtarët ndërkombëtarë në Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim është rikthyer në krye të këtij Bordi, edhe pse në shtator të vitit të kaluar ishte shkarkuar nga ky Bord me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Edhe pse Qeveria kishte emëruar Bordin e ri, Kosova u përjashtua nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR) pasi kjo organizatë nuk kishte marrë nga Qeveria arsyet konkrete pse është shkarkuar bordi paraprak.

Letrat e këmbyera mes EQAR-it dhe ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi bashkë me letrat e ish-presidentit të Bordit të AKA-së, Blerim Rexha dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akredimit, Bekim Samadraxha, qesin në pah se kryeministri Ramush Haradinaj kishte urdhëruar shkarkimin e Bordit duke u bazuar në disa “informacione të klasifikuara” që më vonë kishin dalë të pavërteta.

Letërkëmbimet mes këtyre janë publikuar në vendimin e EQAR-it për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Insajderi ka gjetur se gjithcka nisi me një letër që i kishte dërguar EQAR-it me 28 shtator 2017, presidenti i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha ku sqaron se e kanë marrë vesh përmes mediave se kryeminsitri Haradinaj ka kërkuar shkarkimin e tyre.

Pas kësaj letre, me 5 tetor 2017, EQAR-i i bënë kërkesë Ministrit të Arsimit që ta informoj rreth shkarkimit të Bordit të Agjencisë së Akreditimit. Letra është e nënshkruar nga Karl Dittrich, president i EQAR-it.

Në këtë letër i kërkojnë të dijnë më shumë rreth arsyeve për shkarkim, pasi ata e dijnë vetëm se janë shkarkuar për shkak të “disa parregullësive” në punën e Agjencisë së Akredimit.