Aktuale

Infektologu Krasniqi: Një pacient i prekur me Covid-19 në gjendje shumë të rëndë

Një person i cili është duke u trajtuar nga Coronavirusi në Klinikën Infektive në QKUK, është në gjendje të rëndë. Se gjendja e tij nuk po ka përmirësime e ka konfirmuar për “Front Online”, edhe infektologu Valbon Krasniqi.

Ai ka theksuar që i prekuri me virus është duke marrë trajtim në Repartin Intensiv në Infektivë.

“Për momentin e kemi edhe një pacient në gjendje shumë të rëndë, i cili është në Repartin Intensiv të Klinikës sonë duke marrë trajtim sipas nevojës. Gjendja e tij vazhdon të mbetet shumë e rëndë dhe në bashkëpunim me anesteziologun është nën përkujdesje intensive 24-orëshe”, ka thënë Krasniqi.

E në këtë Klinikë janë duke u trajtuar gjithsej 12 pacientë me Covid-19.

“Sot në Klinikë ne i kemi 12 pacientë me Covid-19 të prekur, pra numri është i përgjithshëm i atyre që janë duke u trajtuar dhe që do të mbesin në Klinik”, ka konfirmuar ai.

Për sa i përket rënies së numrit të rasteve aktive me këtë virus në Kosovë, Krasniqi ka thënë që është një indikatorë që është duke u mposhtur Coronavirusi.

“Ky është një prej indikatorëve që ne jemi duke shkuar drejt fundit të kësaj pandemie. Megjithatë duhet të tërheqim vërejtjen që ne ende jemi në pandemi dhe ende kemi prezent virusin në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Megjithatë sipas tij duhet pasur kujdes pasi që janë ende qindra raste aktive dhe mijëra raste kontakti që janë duke u trajtuar.

“Tani disa qindra raste aktive me Covid pozitiv dhe janë edhe disa mijëra të tjerë raste të kontaktit të cilët janë duke u monitoruar nga ekipet e terrenit. Ende nuk ka vend për relaksim të përgjithshëm, duhet një maturi dhe një vëzhgim i detajuar dhe i kujdesshëm i situatës në vend”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi pati edhe një apel për të gjithë ata që i kanë shpeshtuar daljet në qytet. Ai u ka rikujtuar qytetarëve që lëvizjet në masë të njerëzve janë ende të ndaluar.

“Edhe më tutje duhet që të vazhdojmë të mbulojmë gojën dhe hundën me maskë dhe me faculetë, kur dalin jashtë shtëpive të tyre. Dhe të vazhdojnë që të kenë kujdes për higjienën personale, veçanërisht të duarve. Të shmangin kontaktet me persona të tjerë të cilët nuk i kanë anëtarë të familjes, distancën fizike gjithsesi dhe ajo çfarë duhet të përmendet në mënyrë specifike është që lëvizjet në masë të njerëzve janë ende të ndaluara”, ka thënë ai.

the authorGazetaKNN