Pas raportimeve se është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Kosovë, infektologu Valbon Krasniqi, nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike dhe Universitare e Kosovës ka konfirmuar se akoma nuk ka asnjë rast në këtë klinikë.
Ai tha se aktualisht po ekzaminohen edhe gjashtë raste të tjera të dyshuara, mostrat e të cilëve janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe janë në pritje të rezultateve.
“Ne ju kemi thënë edhe më herët që në Klinikën Infektive nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Janë duke u trajtuar edhe gjashtë raste të reja, mostrat i kemi dërguar në Laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Jemi në pritje të rezultateve. Nuk dihet se si do të dalin rezultatet. Të gjitha rastet e mëparshme kanë rezultuar negative”-tha Krasniqi.
Ai shtoi se është e vështirë që Kosova të mbetet imune, por janë duke e përcjell me kujdes situatën.
“Ne vetëm mund të supozojmë se Kosova është imune. Pas përhapjes në Kine është përhapur shumë shpejtë në Evropë, deri para dy jave ka ardhur në Itali dhe tash edhe në Shqipëri. Është e vështirë që Kosova të mbetet imune, por ne me saktësi po e përcjellim situatën”, shtoi Krasniqi.