Japonia dhe India do të nënshkruajnë një marrëveshje të kontestuar për programin bërthamor civil duke riforcuar bashkëpunimin e tyre përballë ambicieve gjeopolitike kineze në rajon, njoftoi sot media japoneze.
“Kjo marrëveshje, që pritet të nënshkruhet nga kryeministri indian, Narendra Modi dhe homologu japonez, Shinzo Abe do t’i mundësojë Japonisë të eksportojë në Indi teknologjinë e saj bërthamore”, sipas të përditshmes, “Yomiuri Shimbun”.
India, që posedon armën bërthamore, do të bëhet e para jo-nënshkruese e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (TNP), që nënshkruan një marrëveshje të tillë me Tokion.
“Marrëveshja parashikon gjithashtu fundin e bashkëpunimit japonez në rast të testimit bërthamor nga India”, nënvizon e përditshmja “Yomiuri Shimbun.
Narendra Modi do të pritet të enjten në Japoni për një vizitë treditore. Ai është takuar në muajin shtator me Abe në kuadër të samitit të Asean në Laos.
Dy kryeqytetet janë gjithnjë e më shumë të shqetësuara për riforcimin e pranisë ushtarake kineze në Azi, veçanërisht në Detin e Kinës Lindore dhe në Oqeanin Indian.
Kina dhe India kanë një pakënaqësi kufitare që është bërë prej dekadash objekt i cikleve të shumta negociatash dhe tensionet mbeten të vazhdueshme përgjatë kufirit të tyre.
Tokio dhe Pekini kanë gjithashtu një mosmarrëveshje për ishujt në Detin e Kinës Lindore.