Aktuale

“The Independent”: Derisa Trump ndërton mure, një vend në Kosovë i shemb

“Derisa Donald Trump duket se ka ngritur një mur për të ndarë njerëzit, një vend në Evropë ka rrëzuar një të tillë”.

Kështu e ka nisur artikullin e saj kushtuar rrënimit të murit në veri të Mitrovicës, britanikja The Independent.

Një mur betoni në qytetin verior të Mitrovicës në Kosovë që kishte provokuar tensione mes Kosovës dhe Serbisë fqinje është  rrënuar, shkruan  gazeta.

Kjo lëvizje erdhi si rezultat i një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe pakicës etnike serbe të vendit, lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Rrënimi i murit atje nga dy ekskavatorë të dielën nuk u shoqërua me ndonjë protestë apo  incident. Megjithatë, forcat e policisë kanë qenë në gatishmëri të lartë.

Tensionet kufitare filluan me ndërtimin e murit në veri në dhjetor, të cilat u rritën në janar, kur një tren nacionalist serb u ndalua në kufi, transmeton KosovaPress.

Qeveria e Kosovës e pa këtë si një provokim dhe parlamenti votoi për rrëzimin e tij.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Serbia nuk e ka njohur atë si shtet më vete, duke kërkuar që të ruajë ndikimin në veri të Kosovës, ku shumica e minoritetit serb jeton atje.