Rajon & Botë

Imigracioni, sot urdhër i ri ekzekutiv nga Trump

Presidenti Donald Trump pritet të nënshkruajë sot një urdhër të ri ekzekutiv për imigracionin dhe udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi një gjykatë federale bllokoi përpjekjen e mëparshme të administratës.

Gjatë kësaj jave, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se urdhri i ri nuk do të përfshijë më Irakun në listën e shtatë vendeve të Lindjes së Mesme që preken nga kjo masë.

Ndërkohë nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme rreth urdhrit të ri.

Gjykatat federale bllokuan urdhrin e administratës për ndalimin e udhëtimit të datës 27 janar, i cili ndalonte përkohësisht hyrjen në SHBA të personave nga Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Urdhri pati ndaluar edhe programet e marrjes së refugjatëve në SHBA.

Presidenti Trump citoi shqetësimet për terrorizmin si arsye për nënshkrimin e urdhrit të tij të përkohshëm.